Pas një mungese të gjatë në ekran, aktorja e njohur Eva Alikaj ishte e ftuar ditën e djeshme në programin “Dola te Ola”, ku foli gjerë e gjatë për rolet e saj të shumta dhe të suksesshme që kanë mbetur në memorien e të gjithë shqiptarëve. Teksa u pyet se cilin nga rolet do të veçonte, aktorja tha se rolin e Verës, te “Njeriu i mirë” do ta cilësonte si rolin e jetës pasi e ndien më afër karakterit të saj.

Sipas Evës, kinematografia shqiptare prej gati 30 vjetësh është në gjendje jo të mirë pasi artistët e brezit të saj pas viteve ‘90 në njëfarë mënyre u lanë mënjanë, “Në vitin ‘90 nuk e filluan aty ku u la. Le të kishte gjëra të reja, por jo të lihej mënjanë ai brez me aktorë të shkëlqyer. Në atë kohë aktorët ishin elitarë. Unë mendoj se asokohe e kemi bërë më të bukur Shqipërinë”.

Janë të shumtë aktorët e mëdhenj të kinematografisë shqiptare me të cilët Eva Alikaj ka ndarë skenën. Një prej tyre është edhe aktori i mirënjohur Ndriçim Xhepa. Teksa në program u shfaqën fotografi nga shfaqjet “Prometeu” i Viktor Eftimiut dhe “Romeo dhe Zhuljeta” ku dy aktorët ishin partnerë, Eva tha se për të ka qenë shumë kënaqësi të interpretojë në skenë me Ndriçimin pasi është aktor shumë i mirë.

Ndërkohë për pjesën jashtë interpretimit, Eva Alikaj tha se me Ndriçim Xhepën nuk ishin shokë të mirë, “Çimi nuk ishte shumë i sjellshëm. Nuk të uronte kur kishe një premierë”.

Ne nje interviste te meparshme, Eva Alikaj e ka qujatur Xhepen “dashuria e jetes sime”.

Edhe pse Alikaj dhe Xhepa në atë kohë ishin partnerë përtej rolit, aktorja pranon se në atë lidhje ajo ka pasur pasiguritë e veta dhe nëse do kishte pasur më shumë besim, edhe mund të ishte puthur në skenë. Megjithatë, gjërat nuk ishin kaq të thjeshta në atë kohë: “Nuk jam ndier ndonjëherë e sigurt deri në fund.” Por as Xhepa, nga ana tjetër, megjithëse i kundërshtonte vazhdimisht vendimet e Evës, nuk tentonte ta bindte për t’u puthur në skenë, tregon aktorja. Jo vetëm për shkak se e njihte më mirë se të tjerët kokëfortësinë e saj, por edhe sepse e njihte mirë edhe realitetin të cilin jetonin…

Derisa, shumë pak vite pas ndryshimit të sistemeve, puthjet e munguara mes saj dhe Xhepës do të realizoheshin në filmin “Përdhunuesit”, por në këtë kohë ajo dhe Xhepa nuk ishin më bashkë (sado që historia ende nuk ishte shuar), tregon aktorja: “Ajo ka qenë dashuria e jetës sime dhe atëherë ishte ende shumë shpejt për ta konsideruar të mbyllur si të ishte një fjalë goje. Krejt ndryshe e shoh tani. Mendoj: A kam qenë po unë ajo që jam ndier ashtu?” – rrëfen aktorja për “Panorama”.

 

Një tjetër aktor i refuzuar i viteve ka qenë edhe Timo Flloko, i cili do ta realizonte më në fund puthjen në teatër, në pjesën “Shtrigat e Salemit”: “Po, e realizoi Timo më në fund edhe skenën e puthjes me mua. Ka qenë një rast edhe vite më parë që nuk pranova të puthem.”