Një ngjarje e rëndë tronditi Shqipërinë mesditën e djeshme ku tre persona u ekzekutuan me armë zjarri në mbikalimin e Fushë-Krujës. Shtetasit Brilant Martinaj, Dilen Vata dhe Arbër Hozha u ekzekutuan në makinën e tyre nga katër persona të panjohur për të cilët ende nuk ka asnjë informacion sa i takon identitetit të tyre.

Ndaj makinës ku udhëtonin viktimat, është qëlluar në breshëri me plot 80 plumba nga arma kallashnikov.

Ndërsa më pas makina ku udhëtonin tre të rinjtë ka shpërthyer në flakë si pasojë e plumbave.

Martinaj dhe Hoxha u shkrumbuan brenda mjetit ndërsa Vata tentoi të largohej por autorët ishin kthyer duke e qëlluar dhe duke i shkaktuar vdekjen.

Autorët të cilët udhëtonin me një “Volswagen Passat”, si duket e kanë studiuar vendin ku ndodhi ngjarja pasi nuk ka kamera sigurie përreth dhe në këtë mënyrë vështirësohet puna për gjetjen e tyre.

Sa i përket hetimeve lidhur me gjetjen e vrasësve, policia gjeti në fshatin Larushkë një makinë të djegur e cila dyshohet se i përket autorëve. Brenda makinës u gjetën edhe 3 armë të cilat janë përdorur për të ekzekutuar Martinaj, Hoxhën dhe Vatën.

Ndërkohë policia nëpërmjet një njoftimi zyrtar bën me dije se ofron 30 milionë lekë të vjetra për këdo që ofron informacion mbi ngjarjen e ndodhur.

Cilët janë viktimat:

Brilant Martinaj, 23 vjeç, banues në Fushë-Kuqe ishte me precedent kriminal, i dyshuar për veprën penale “vrasja e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje.”

Diklen Vata, 30 vjeç njihej si person me precedent penal, kishte lidhje të afërt shoqërore me Brilant Martinaj.

Arbër Hoxha, 34 vjeç, nga Fushë-Kuqe kishte lidhje të afërta shoqërore me Brilant Martinaj.
Ky i fundit dyshohet si autor i ekzekutimi të efektivit të FNSH-së Xhuliano Prela në dhjetor 2020 dhe ish-policit Xhelal Reçi më 1 nëntor 2021.

Deri më tani asnjë nga krimet nuk është provuar.

Ndërsa Diklen Vata është kapur në shtator të 2017-ës me kokainë në Tiranë.