Zhdukja e të shumëkërkuarit të drejtësisë, Ervis Martinaj vijon të jetë një mister, ndërkohë që janë ngritur shumë aludime për rrëmbim apo edhe për një skenar të inskenuar nga vetë ai.
Por zhdukja e Martinajt dyshohet se është e lidhur me një vajzë. Në emisionin “Shënjestër” të Klodiana Lalës, është zbuluar një pjesë dosjes hetimore, ku thuhet se Martinaj është tradhtuar dhe nxjerrë në pritë nga një femër misterioze.
Këtë informacion, policia e Lezhës dhe Kurbinit e ka marrë nga një burim konfidencial, i cili ka deklaruar se i shumëkërkuari mund të jetë rrëmbyer dhe ekzekutuar.
“Më datë 10 gusht 2022 shërbimet e policisë së Drejtorisë Vendore Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Kurbin kanë marrë informacion nga një burim konfidencial se shtetasi Ervis Mustafa Martinaj i datëlindjes 6 tetor 1982, lindur në Burrel dhe banues në Fushë-Kuqe, Kurbin, dyshohet se është rrëmbyer dhe ekzekutuar nga kundërshtarët e tij, pasi është tradhtuar dhe nxjerrë në pritë nga një femër në proces verifikimi. Sipas të dhënave të administruara në rrugë operative, dyshohet se Ervis Martinaj mund të jetë rrëmbyer në qytetin e Durrësit dhe më pas të jetë vrarë nga persona të paidentifikuar”, thuhet në dosjen hetimore.