Genti Pjetri, i njohur më së shumti për publikun si “Doktori” i emisionit “Fiks Fare” ka qenë një ndër personazhet më të njohur për shqiptarët, por duket se tani është “i harruar”. I ftuar në emisionin “Të Harruarit” Syri Tv, “Doktori” tregoi sesi ka qenë i gjithë rrugëtimi i tij në media, duke ia atribuuar Bojken Lakos. Ai i ka sugjeruar që të provojë humorin e tij në “Top Albania Radio”.

 

“Bëja humor me miqtë e mij dhe shoqërinë. Bojken Lako më tha ‘pse nuk e provon ne radio’. Varet në çfarë radio i thash, por gjithsesi. ‘Është hapur Top Albania Radio’ më tha, ishte 97-a. Nuk e njoh i thashë.Takova pronarin, ndjesë pastë dhe më pyeti ‘çfarë do bësh?’. Nuk e di i thashë, çfarë keni ju në mëndje se unë nuk ja kam idenë se çfarë kërkoni ju.

Bëja zëra të ndryshëm, e nisa më një lab. Pastaj kisha disa libra medicinale. Atëherë ka qenë gjallë ndjesë pastë Arqile Boti dhe unë imitoja atë. Pastaj merrja këto librat dhe filloja duke u tall në thonjëza, dhe merrja terma latine (imition Arqile Botin). Do ti që një më dy më merrnin në telefon. Ore ai doktori thoshin… kush doktor? Ai doktori pra! Çfarë doktori? Doktor, doktor dhe kështu më mbeti emri ‘Doktori’. Unë e kam emrin Genti dhe kështu më thoshin vetëm familjarët,”-tha në fillim të intervistës së tij Genti.

Genti Pjetri ka rrëfyer momentin kur u shkëput nga emisioni Fiks Fare, duke zbuluar se e kishte përballuar shumë keq. Madje shtoi se thashethemet dhe ironitë brenda Top Channel e kishin goditur rëndë shëndetin e tij. Kjo pasi ai kaloi në ishemi cerebrale.

“Nuk është se u shkëputa nga Fiks Fare, por unë u bëra armiku i vetes sepse më pëlqente ta pija një gotë raki, por jo ta teproja. Por ja që kur shkoja në punë gjeja një shprehje që thoshin… dhe aty e tejkalova sepse nuk e duroja më atë lloj shprehje. S’ia vlen të flas shumë sepse personi që e ka bërë atë muhabet e di shumë mirë atë muhabet dhe ai e di. Kur ta shohin le të flasin. E dua shumë.. E për të mos luajtur mendsh e mos të kaloja në depresion detyrohesha të pija pak më shumë seç duhet. Kjo nuk është zgjidhje, nuk është e drejtë, por kam heq e kam vuajt, si shumë të tjerë. Ama di të them vetëm diçka… në qoftë se do të dënosh një aktor, hiqe nga skena. Në momentin që mua më hoqën nga ekrani unë kalova në ishemi cerebrale”, rrëfen Pjetri.

Edhe pse kanë kaluar disa vite që është shkëputur nga ekrani, ai thotë se ka projekte për radio dhe televizion dhe një ditë do të rikthehet. Por tani duket se ka një detyrë më të rëndësishme. Atë të kujdesit të prindërve.

“Kam dy prindër, një nga ata ka 3 vjet në krevat fatkeqësisht. Kam edhe një nënë shume narciziste, që gjithë jetën e ka adhuruar veten dhe e adhuron veten. Nuk kam as motër as vëlla, jam laj, tha, vish, hekuros, palos, nxirr xhiro, Ky jam unë!,”-tha ai. Megjithatë e ka një peng. E ajo është humbja e dashurisë më të madhe të jetës së tij. “Doktori” shprehet se ka qenë i dashuruar dikur, por e humbi dhe gjëja që do të adhuronte më së tepërmi ishte nëse do të kishte një fëmijë.

“Kam qenë i dashuruar, por ja që e humba. Mbase do të isha sot edhe me fëmijë, por ja që s’nuk. Është një peng për mua. Nuk e di çfarë do të bëja por do ta adhuroja dhe do ta doja shumë. Besoj që edhe gruan do ta doja, por ja që nuk më ndodhi aq e qartë”- thotë ai.

Megjithatë ai duket se i ka planet e qarta për të ardhmen, do të rikthehet, por nuk dihet ende se kur…