Deputeti Flamur Noka edhe në seancën e sotme i ka kërkuar llogari kryeparlamentares Lindia Nikolla, pse emri i tij dhe i disa deputetëve të tjerë figuron si jashtë grupeve parlamentar.
Ai tha se deputetët po caktohen në mënyrë arbitrare se në kë grup parlamentar do të bëjnë pjesë dhe paralajmëroi se do të dorëzojë padi në Gjykatën Kushtetuese.
“Është bërë e udhës që në këtë Parlament të mos përfillet rregullorja. Sot shoh që Flamur Noka, krahas kolegëve të tjerë, shkruan jashtë grupeve parlamentare. Duke qenë se ju pa asnjë vendim, pa asnjë të drejtë, të faktoni kush është deputet i kësaj apo asaj force, unë i dërgova komisionit në kërkesë. Përgjigja ishte: Ju bashkangjitur do të keni listën emërore të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë krahas partisë përkatëse. Dhe emri im sëbashku me Albana Vokshin dhe Sali Berishën nuk janë në Partinë Demokratike.
Një nen tjetër thotë se një deputet deklaron me shkrim se në cilin grup parlamentar bën pjesë. Zonjë më nxirr dokumentin që una kam kërkuar të largohem nga grupi i PD-së. Ose më nxirr një vendim të këtij Parlamenti që më ka shpallur armik. Që nga nesër zonjë do të bëjë gati një padi në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të ligjit dhe për menyrën sesi ju silleni në Kuvend, sikur të jetë mejhane e jo Parlament”, u shpreh Noka.
Por, pas përgjigjes së Nikollës, Flamur Noka u përfshi në një debat me ofendime me Enkeljd Alibeajn, pa mikrofona. Shkak u bë akuza ndaj Alibeajt nga Tritan Shehu se ai ka falsifikuar dokumentin që i përjashton ata nga grupi parlamentar.
“Mos më bëj mua ashtu, legen. Të vij atje e ta tregoj kush është falsifikatori. More vesh apo jo. Se ta tregoj unë ty dhe atij tjetrit, je kokrra e legenit” u dëgjua Enkelejd Alibeajt teksa i drejtohej Flamur Nokës dhe Tritan Shehut.