Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika ditën e sotme ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani për t’i kërkuar që dosjen e 21 Janarit ta tërheqë nga prokuroria e Tiranës. Ai tha se organi i akuzës së Tiranës “nuk ka këllqe” dhe për këtë arsye i kërkoi SPAK-ut që të veprojë.
Për kasetën e komunikimit që pretendohet se ka ndodhur në 21 Janar mes kreu të gardës me vartësit dhe eprorët, Nika tha se nuk do ta dorëzojë në prokurorinë e Tiranës, por vetëm në SPAK. Për kasetën, ai tha se e disponon prej muajit korrik të vitit të kaluar.
“Takova Altin Dumanin, kemi besim te SPAK-u. Kemi shkuar dhe kemi kërkuar si familje që SPAK-u të ndërhyjë dhe të tërheqë dosjen nga prokuroria e Tiranës, pasi na ka mbyllur derën. Kemi kërkuar që të thirret Berisha, Basha dhe Ndrea Prendi, por na ka mbyllur derën. Hetimi do trimëri dhe profesionalizëm.
Ne kemi urdhrin që ka dhënë komandanti i Gardës, Ndrea Prendi që të qëllohet në mish. Kallëzimi i qeverisë do të shërbejë si indicie për të përshpejtuar një tërheqje të dosjes nga prokuroria e Tiranës te SPAK-u. Dumani i thashë nuk kemi besim te prokuroria e Tiranës dhe të lutemi që brenda procedurës penale dosja të tërhiqet nga ju (Dumani).
Dhe e dyta, i thashë kemi bindjen që SPAK-u nuk do të bëjë lëshime, do të thërrasë, pyesë dhe hetojë, ndërsa prokuroria e Tiranës nuk ka këllqe. Te prokuroria e Tiranës nuk e dorëzojmë materialin, nuk kemi besim” tha ai.