Gazetarja Anila Hoxha ka treguar ditën e sotme në emisionin “Top Talk” se si fëmijët e adoleshentët bien në rrjetën e zezë të platformave sociale online, dhe impaktohen deri në depresion.
Ajo solli shembullin e dy rasteve që kanë ndikuar negativisht në jetën e adoleshentëve, duke i lënë atyre pasoja të rënda.
Hoxha tregoi rastin e një fëmije shembullor në shkollë, që zgjodhi të krijonte para në mënyrë të shpejtë dhe jeta e tij mori kthesë për keq papritur.
Ndërsa tregoi edhe rastin e një tjetër adoleshenti, i cili pasi kishte kryer një vjedhje, investoi dhjetë vite në mësime për t’u bërë prokuror, por ligjet e hekurta nuk pyetën për ëndrrat e tij, pasi vjedhja e krejtësisht panevojshme në moshën 14-vjeçare i kishte lënë një shenjë që nuk e lejonte të ndiqte profesionin e ëndrrave.
“Fëmija deri në moshën 18-vjeç ka mbrojtje të posaçme nga ligji sepse është duke u zhvilluar. Patjetër që familja ka një rol shumë të rëndësishëm dhe të pazëvëndësueshëm por nuk është vetëm familja. Nëse do ju sillja raste që kam shqyrtuar gjatë karrierës time, çdo histori tregon një fenomen të diçkaje që ne jetojmë si shoqëri. Raste të fëmijëve të impaktuar në rrjetet sociale. Se si fëmijët shantazhojnë njëri tjetrin për shkak të një fotografie, derisa fëmija kalon në depresion. Shifrat janë shqetësuese. Këtu ndalemi tek impakti që kanë rrjetet sociale tek fëmijët. Fëmijët bien në rrjetën e zezë të peshkimit nëpërmjet telefonit e tik-tokut si dhe platformave të tjera. Kemi fenomenin e modeleve, kur një fëmijë krahasohet me një fëmijë tjetër. Një rast nuk e harroj, kjo histori ndodhi jo shumë larg qendrës së qytetit. Një fëmijë që përditë përpiqej të ishte sa më i dalluar, filloi të krahasohej me një bashkëmoshatar që vinte me makinë luksoze çdo ditë, i bullizonte të gjithë. Ky fëmijë pasdite punonte në lavazh dhe një ditë thotë stop, edhe unë dua të bëj para, merr një pistoletë lodër, dhe me dy bashkëmoshatar të tjerë shkon e grabit pensionet. Në këtë moment atij i shkatërrohet jeta. Është edhe një rast tjetër i një personi që kishte bërë kthesë në moshën 14-vjeçare pas një vjedhjeje të panevojshme, më vonë ai doli i dyti në magjistraturë për prokuror, ndryshoi katërciprisht dhe u bë nxënës model. Edhe ky personazh është për tu kthyer në një rast. U skualifikua nga KLP-ja, Kushtetuesja i tha për shkak se kërkoni të jeni prokuror nuk mund të bëni një gjë të tillë prej vjedhies në moshën 14-vjeçare.”– tha Anila Hoxha.