Babë e bir të palicencuar shesin barna në kioskë, Menduh Ferati bën edhe injeksione
Emisioni Fiks Fare solli mbrëmjen e sotme një subjekt që shet barna në kundërshtim me ligjin, rolin e farmacistit e bëjnë babë e birë të cilët nuk janë të licencuar për këtë gjë.
Fiksi solli me zë dhe figurë, Menduh Feratin i cili shet antibiotikë pa recetë dhe bën injeksione në këtë ambient. Madje ai tregon se operon në të gjithë zonën dhe mund të injektoi edhe antibiotikë sipas rastit.
Emisioni Fiks Fare solli përgjigjen e institucioneve për rastin, objekti në të cilin shiteshin barnat nuk kishte asnjë shenjë dalluese se ishte farmaci. Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve mjekësore i lau duart duke thënë se në inspektim në subjekt gjetën Indrit Feratin i cili nuk ka licencë dhe ndaj edhe gjobitet me 2 milionë lekë të vjetra.
Por ajo që thotë një tjetër institucion siç është Urdhëri i Farmacistit tregon qartë se ai subjekt nuk ka asnjë farmacist apo ndihmës farmacist të licensuar, po ashtu as drejtues teknik, pikë e cila është domosdoshmëri për të ushtruar aktivitetin. Por kur vjen puna për të mbyllur subjektin e paligjshëm, Urdhëri thotë se është kompetencë e Agjencisë.
Ndërkohë vetë z.Ferati i cili u xhirua nga Fiksi duke shitur barna dhe bërë injeksione tregoi se prej 4 vitesh veprojnë në kundërshtim me ligjin. Sipas tij ka patur një drejtuese teknike e cila ka humbur jetën para 4 vitesh, dhe që nga ajo kohë në subjekt shesin barna njerëz në kundërshtim me ligjin.