Kompania e sigurimeve Albsig nuk u del për zot klientëve, merr pagesat dhe nuk i dëmshpërblen. Shifrat zbulojnë skandalin
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financare ka publikuar ditën e djeshme të dhënat mbi tregun e sigurimeve gjatë 5 muajve të parë të vitit, i cili ka shënuar një zgjerim.
Përmirësim në tërësi vërehet edhe sa i përket numrit të kontratave të firmosura si edhe numrit dhe vlerës së dëmeve të paguara ndaj të siguruarve.
Por, ajo që bie në sy dhe duhet të shqetësojë këdo është se ndërkohë që kompanitë e tjera janë duke rritur pagesat e dëmeve ndaj të siguruarve, kompania “Albsig” shkon në krahun e kundërt duke u renditur në tregues minimal, dhe shumë problematikë sa i përket mbajtjes së përgjegjësisë në rast të dëmit ndaj klientëve.
Gazeta Jonë ka parë tabelat e publikuara nga AMF ku duket qartë se Albsig është shumë pas kompanive të tjera për pagesën e dëmeve si për sigurimet e jetës ashtu edhe të jo jetës duke shënuar një skandal në tregun e sigurimeve në vend pavarësisht se është zgjeruar vitet e fundit për shkak të lidhjeve të ngushta të qeverisë dhe detyrimit të një pjese të mirë të administratës dhe bizneseve për të bërë sigurimet te kjo kompani.
Të gjitha kompanitë e sigurimeve shënuan një vlerë totale të primeve bruto për sigurimet “jetë” prej 810 milionë lekësh gjatë 5 muajve të parë të këtij viti.
Albsig ka mbledhur nga të siguruarit 91.5 milionë lekë për këtë skemë duke kapur 16.4 për qind të tregut.
Logjika e do që ndërkohë që ke 16.4 për qind të tregut me prime të jesh pranë kësaj shifre edhe në drejtim të shlyerjes së dëmeve në raport me vlerën totale të pagesave për shlyerje dëmesh që bën tregu, por kjo nuk vlen për kompanitë e oligarkëve.
Kështu, ndërkohë që ka mbledhur 116.6 milionë lekë duke kapur 16.4 për qind të tregut, Albsig ka dëmshpërblyer vetëm 5.7 milionë lekë ose 4.91 për qind të totalit të tregut. Diferenca është e frikshme.
Sigurimet jo jetë
E njëjta gjë vlen edhe për skemën e sigurimeve “jo jetë” ku pjesën dërrmuese e përbëjnë ato TPL.
I gjithë tregu ka kapur një total primesh (pagesa) të mbledhura prej 8.2 miliardë lekësh, kurse Albsig ka kapur 1.7 miliard lekë duke arritur të sigurojë më shumë se 21% të këtij tregu.
Por sa dëmë ke paguar Albsig në raport me tregun?
Diferenca këtu është dhe më e madhe krahasuar me segmentin e “jetës” duke konfirmuar praktikat zhvatëse të kësaj kompanie në raport me klientët, të cilët duket se u merr pagesat dhe nuk u del për zot.
Nga 1.7 miliard lekë pagesa të marra nga të siguriarit, Albsig ka paguar vetëm 326.8 milionë lekë dëme.
Ndërkohë që ka më shumë se 21% të tregut të primeve të marra për segmentin “jo jetë”, Albsig rezulton të ketë paguar 13.26 për qind të totalit të dëmeve që kanë paguar të gjitha kompanitë e sigurimit.
Pra, Albsig ka 1/5 tregut të sigurimeve si prime të marra por paguan si dëmshpërblim më pak se 1/7 e buxhetit të dëmshpërblimeve.
Tregu i sigurimeve ka qenë dhe është përherë problemati, me zhvatës që marrin paratë dhe nuk mbajnë përgjegjësi siç duhet, fenomen i përhapur te të gjitha kompanitë, por rasti në fjalë është tepër flagrant pasi kompania Albsig vjel shuma kolosale dhe dëmshpërblen thërrime.
Kjo është një situatë krejtësisht abuzive para së cilës institucionet nuk duhet të hështin pasi qytetarët janë duke u vjedhur ditën për diell por askush nuk reagon. E nëse nuk reagon shteti, duhet të reagojnë vetë qytetarët që të sigurohen atje ku u dalin për zot. /Gazeta Jonë