Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i koduar “Nga bregu në breg”, teksa këtë të mërkurë përpara Gjykatës së Posaçme njihen me masën e sigurisë 20 persona të arrestuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Në shumicën e episodeve të zbardhura nga bisedat mes anëtarëve të grupit, bie në sy fakti se droga quhet vezë, dhe se trafikantët përdorin këtë term mes njëri-tjetrit kur flasin për oraret e kalimit, sasinë apo vendin ku është fshehur.

I tillë është ky episod i zbardhur nga biseda mes shtetasit Artur Sulajt dhe Besnik Ruçit.

Artur Sulaj: Ku je ti, te kafja?

Besnik Ruçi: Unë këtu jam, i mora vezët unë, i do vezët?

Artur Sulaj: Po mirë, jo jo, mos i merr vezët se iku!

Besnik Ruçi: Po s’ja çoj dot unë?

Artur Sulaj: Po ja ta marr… po qe aty

Besnik Ruçi: Po, merre e më thuaj.

Në dosjen hetimore jepen bisedat e transkriptuara mes shtetasit Shpëtim Pjeshka, trafikant dhe punonjësve të policisë që e ndalojnë për kontroll në doganë.

Polici 1: Çfarë ke futur aty, ëëë, çfarë ke futur.

Polici 2: Çfarë janë këto pako?

Shpëtim Pjeshka: M*t, m*t kam futur

Polici 1: M*t???

Shpëtim Pjeshka: Ëhëëëë!

Polici 2: O Nadir, prangat, prangat!

Polici 1: Ulu poshtë, ulu!

Polici 2: Hajde, ec se të ndihmoj unë!

Shpëtim Pjeshka: Ah të q**sha robt!

Polici 2: E pe skanerin Berti?

Polici 1: Nuk!

Polici 2: Si nuk mor shoku, këto janë 100 kile?!

Polici 1: Sa kile janë?

Shpëtim Pjeshka: 15…

Polici 1: Po mirë!

Në këtë moment njëri nga punonjësit e policisë njofton me telefon eprorin e tij ku e vë në dijeni për sasinë e drogës së kapur nga skaneri brenda kroskotit të kamionit, në një pjesë të modifikuar të tij. Efektivi i komunikon eprorit se bëhet fjalë për një ngarkesë heroine.