Lëvizja Bashkë” do të organizojë sot protestën e radhës kundër ndërtimit të kullës 64 kate prapa Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit që dyshohet se po ndërtohen nga Agim Zeqo, Gerian Kuka dhe Ilir Shtufi, biznesmenë pranë Berishës.

“Lëvizja Bashkë”, njofton se protesta do të zhvillohet pasditen e sotme në orën 18:30.

“LARG DUART NGA PARKU YNË!

Çka po ndodh në qendër të Tiranës është një krim i vërtetë kundër qytetit. Një krim i financuar me para të pista dhe i mbrojtur publikisht nga pushtetarë të korruptuar.

Qyteti ynë po vdes pak e nga pak, me çdo hapësirë publike që zihet, me çdo park që shkatërrohet, me çdo ujdi të errët që materializohet. Pas parkut të fundit e kanë radhën të tjera hapësira të jetës urbane, siç mburren me vetëbesimin e kriminelëve të papendueshëm Edi Rama dhe Erion Veliaj.

Në këto kushte, detyra jonë si qytetarë është të ngremë zërin.

Ditën e hënë në orën 18:30 Lëvizja BASHKË u bën sërish thirrje qytetarëve të Tiranës për të dalë në protestë.

Bashkë për një qytet të jetueshëm!”, shkruan Lëvizja Bashkë në rrjetet sociale.