Nga Ola Xama
Në një shtet normal, përpara se të arrestohet montuesi i ashensorit dhe të shpallet në kërkim pronari i lokalit, duhet të arrestohet punonjësi i Inspektoriatit të Punës që është përgjegjës për kushtet e sigurisë në punë në atë zonë.
Në një shtet normal, do të shihej më pas përgjegjësia e të gjithë zinxhirit monitorues, nga specialisti më i ulët deri te drejtuesi më i lartë. Dhe jo vetëm te Inspektoriati i Punës, por dhe te njësia e Mbikëqyrjes së Tregut, policia, dhe ata që kanë lejuar ushtrimin e aktivitetit të biznesit pa patur këtë dokumentacion!
Në një shtet normal, ai ashensor nuk do të ishte në punë sepse pronari do të kishte frikë se humbte biznesin, nga gjoba që do të merrte si pasojë e moskolaudimit të ashensorit dhe kjo fatkeqësi nuk do të kishte ndodhur.
Në një shtet normal, që nga drejtori i Inspektoriatit të Punës, deri te ministri përgjegjës, ish- ministri apo deputeti i zonës, do t’i kërkonin falje familjarëve të viktimës dhe do të heshtnin! Nuk do të jepnin leksione se çfarë thotë ligji, sepse përgjegjësinë për zbatimin e tij e kanë ata! Ata kanë në dorë ekzekutivin! Nuk është privilegj të kesh këtë pushtet, është përgjegjësi!
Të paktën të bëjnë kaq, të heshtin. Sot ka ikur nga kjo botë një 17-vjeçar, me plot ëndrra dhe plane për jetën, që punonte me dinjitet në këtë shtet që meriton të përbuzet. Në këtë vend me shtetarë që i vodhën të ardhmen.
Është e tmerrshme të zgjohesh dhe të dëgjosh këto lajme sepse në vendin tonë nuk ka siguri! Ndaj sot mos bëni politikë, lëreni mënjanë hipokrizinë, sepse ka ndodhur një tragjedi.