Miku i Blendi Gonxhes , Nursen Metuli “përlan” 550 milionë lekë pa garë te Albcontrol , Laureta Omeri firmos me flamur të kuq
Redaksia Investigative – Gazeta Jonë
Albcontol ka hapur sërish thesin duke i dhënë një tender mbi 500 milionë lekë, të përhershmit Nursen Metuli.
Gazeta Jonë mëson se kompania “A-T-D – ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBITION” sh.p.k e Nursen Metulit është shpallur sëfundmi fituese e tenderit të Albcontrol me vlerë fond limit 46 666 666 lekë pa TVSH (rreth 550 milionë lekë me TVSH) me objekt “Shërbim enkriptim mbi sistemet informatike të Albcontrol dhe monitorimi ndaj sulmeve kibernetike si dhe monitorimi i ambjenteve të sallave operacionale”.
Tenderi është shpallur me “flamur të kuq” nga Openprocurement Albania, platforma e specializuar për të kapur tenderët problematike.
Rezulton se Metuli ka qenë i vetmi ofertues në këtë tender duke u shpallur fitues me 96% të fondit limit. E gjithë procedura duket nga fillimi deri në fund e dyshimtë dhe kërkon një hetim të thelluar për ndjekjen e rregullave dhe zbulimin nëse gjithçka ka qenë “me gjasme” dhe kopania e Metulit është shpallur fituese pa u hapur ende tenderi, por duket se Albcontrol i ka praktikë këto lloj tenderësh me flamuj të kuq.
Ky në fakt është tenderi i radhës me flamur të kuq firmosur nga Omeri.
“Tenderi i kuq ” 1.85 milionë euro në qershor
Në qershor 2023, një bashkim mes kompanive Consulting & Management Albania dhe Albanian Technology Distribution është shpallur fitues në tenderin për trajnimin e 30 kontrollorëve të rinj të Albcontrol. Fondi limit i tenderit ishte përcaktuar 208.3 milionë lekë ose 1.93 milionë euro.
Oferta e vetme që u paraqit në tender ishte ajo e bashkimit të dy kompanive me vlerë 199.8 milionë lekë ose 1.85 milionë euro. Albcontrol ka vendosur ta shpallë fituese edhe pse kjo ishte oferta e vetme.
“Consulting & Management Albania” zotërohet nga Ervis Myftari, ndërsa Albanian Technology Distribution ka pronarë të vetëm Nursen Metulin, një biznesmen që në media është përfolur për lidhjet e tij të ngushta, edhe miqësore me drejtorin e Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe.
Në nëntor të vitit që shkoi Albcontrol zhvilloi një tjetër tender prej rreth 600 mijë eurosh po për trajnimin e personelit për 6 muaj për disa programe. Edhe në këtë në garë u paraqit vetëm një ofertë, pikërisht ajo e kompanisë “Consulting & Management Albania” që u shpall fituese duke ofruar një vlerë sa 99.9% e fondit limit.
Kosto stratosferike
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontrollorët ajrorë shkollohen përmes të ashtuquajturit Iniciativa e Kolegjiatit të Trafikut Ajror, një program partnership mes disa kolegjeve dhe Adminstriatës Federale të Aviacionit. Sipas të dhënave zyrtare nga ky program, aktualisht kostoja e shkollimit 2 ose 4 vjeçar për të marrë diplomën e kontrollorit ajror varion nga 10 mijë deri në 35 mijë dollarë
Në Shqipëri, Albcontrol do të paguajë plot 62 mijë euro ose rreth 67 mijë dollarë për të trajnuar një kontrllor me programet bazike. Krahasimi tregon qartë se sa shtrenjtë kushton trajnimi i kontrollorëve të rinj në Shqiëri, që financohet përmes parave publike duke qenë se Albcontrol është në pronësi shtetërore.
CV e dyshimtë
Kur Albcontrol shpalli tenderin e majmë për trajnimin e kontrollorëve të rinj muajin e kaluar, pati dhe denoncime publike se tenderi ishte paracaktuar për kompaninë Consulting & Management Albania. Denoncimet rezultuan të vërteta. Fituese në tender u shpall “Consulting & Management Albania” në konsorcium me Albanian Technology Distribution.
Por “Consulting & Management Albania” nuk është e vetmja kompani që zotëron Ervis Myftari. Në periudhën Shtator-Nëntor të vitit 2020, biznesmeni fitues i rregullt kontratash nga Albcontrol, krijoi me shpejtësi dhjetë kompani. Brenda pak muajsh të gjitha ato kompani janë kaluar me status të pezulluar. Aktualisht Myftari ka 8 kompani me status të pezulluar dhe dy aktive.
Hapja e kompanive dhe pezullimi i tyre brenda pak muajsh nuk është e jashtëligjshme, për sa kohë kompanitë e mbyllura nuk krijojnë detyrime në shtet. Por zakonisht, në Shqipëri kjo skemë është përdorur gjerësisht për dy qëllime. E para për evazion fiskal ku kompanitë fiktive lëshojnë fatura dhe pasi ngarkohen me taksa mbyllen duke mos i paguar ato.
Qëllimi i dytë për të cilin skema të tilla janë përdorur është ai i nxjerrjes së parave Cash nga kompania kryesore, të cilat më pas shkojnë si rryshfete për zyrtarët që firmosin tenderat.
A është kontrolluar ky rast nga administrata tatimore? Kjo nuk dihet. Por kompanitë që marrin tendera me kosto të fryra nga institucionet publike, kanë gjithmonë risk të përfshihen në këto skema.
*Shkrimi është publikuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i gazetarisë investigative në Shqipëri”, mbështetur nga organizatat europiane të medias.