Lëvizte me armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 36-vjeçari Erind Mrruku. 36-vjeçari, sipas policisë ka qenë i dënuar më parë për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës policore, për një shtetas që lëvizte i armatosur në rrugën “Nënë Tereza”, në Kamëz, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Cancelled”.    

Gjatë operacionit, në rrugën “Nënë Tereza”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar shtetasin Erind Mrruku të cilit, gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje, krehër dhe municion luftarak” thotë policia.

Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, municioni luftarak, një këllëf për mbajtjen e pistoletës, një palë dylbi, tre mjete prerëse, tre aparate celulare dhe një peshore për metale të çmuara, që iu gjetën 36-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik dhe gjatë kontrollit në banesë.

Por si ndodhi vrasja në në 2010?

Erind Mrruku vrau këngëtarin Fabian Nikajn në lagjen “Besëlidhja” në Lezhë  vetëm pak metra larg komisariatit të policisë 13 vite më parë. Të rinjtë kishin qenë duke diskutuar me tone të larta në një nga lokalet e Shëngjinit ndërsa molla e sherrit dyshohet se ka qenë një vajzë.

Më pas Erind Mrruku i cili dyshohet të ketë qenë i shoqëruar edhe nga disa djem të tjerë, ka ndjekur Nikajn me makinë deri në qytetin e Lezhës ku dhe e ka qëlluar me armë zjarri.