5 kulla të reja me më shumë se 40 kate do të ndërtohen në Tiranë, ndërkohë që vendimi i KKT-së është marrë në 12 Tetor. Zëri.ai ju sjell më poshtë një përshkrim të plotë të kompanive dhe pronarëve përfitues që do të ndërtojnë në pjesë të ndryshme të Tiranës, nga zona e Liqenit, te 21 Dhjetori dhe Bulevardi i Ri, ku çmimet e banesave apo të njësive të shërbimit aktualisht llogariten deri në 2 mijë euro. Janë 5 projekte mbi 40 kate, që do të ndërtohen të gjitha nga kompani shqiptare, një pjesë e të cilave madje në pasqyrat financiare rezultojnë me humbje për vitin 2022.
1- Një prej përfituesve të parë nga KKT është ish-deputeti i partisë socialiste Sadri Abazi, me kompaninë e tij USLUGA, i cili do të ndërtojë një kompleks godinash në Bulevardin e Ri të Tiranës. Mes të tjera kompania e AQbazit do të ndërtojë edhe qendrën e kongreseve 5 kate mbitokë dhe 3 kate nëntokë, Godine Banimi 40 kate mbitokë dhe 5 kate nëntokë dhe Godinë Hotelerie 25, 26 kate mbitokë dhe 5 kate nëntokë. Pra një kompleks i tërë shërbimesh dhe godinash shtetërore, mbetet për t’u parë nëse transferimi i qendrës së Kongreseve do ti hapë rrugë shembjes së godinës aktuale të Pallatit të Kongreseve e cila gjendet në qendër të Tiranës.
2- Kulla e dytë që do të ndërtohet është ajo në truallin e Bankës Kombëtare Tregtare, në rrugën Ismail Rugova në Tiranë, në afërsi të Gjykatës së Lartë, ngjitur me Shtëpinë e Gjetheve. Kulla do të ndërtohet nga kompania “Bami Holding” me pronar Besnik Bamin, një godinë multifunksionale që do të mbajë emrin “Barcelona Tower”, dhe pritet që të ketë 54 kate gjithsej. Brenda kullës së re pritet që të jetë pjesë edhe BKT si pronare e tokës, ndërkohë që detajet se si do të ndahet ‘torta’ nuk janë bërë publike ende.
3- Kulla e tretë që do të ndërtohet është ajo në afërsi të digës së Liqenit Artificiale, në Rrugën Kristo Luarasi, me subjekt zhvillues shoqërinë “Green Living Company” sh.p.k. Nëse dy kompanitë e mësipërme janë disi më të njohura në fushën e ndërtimit, kompania e mësipërme dhe aksionerët e saj, kanë një të shkuar që lidhet me importin dhe përpunimin e letrës. Një biznes shumë më i lehtë jo vetëm për nga pesha e letrës, por edhe xhirove dhe fitimit në raport me sektorin e ndërtimit.
Aksioner të kompanisë, që për vitin 2022 deklaron humbje prej 5 milionë lekësh të rinj janë Natasha Xhai dhe Orion Cenalla. Ky ndërtim do të jetë strukturë shërbimi, hoteleri dhe banimi 2-6 kate dhe 40 kate mbi tokë, me 5 kate nëntokë. Pra në total një kullë me 45 kate, e cila do të zhvillohet nga një kompani ‘fantazmë’ në fushën e ndërtimit, që deklaron humbje, por merr përsipër një investim miliona eurosh.
Zëri kërkoi për kompaninë “Green Living” që deri më tani nuk ka realizuar asnjë vepër të ngjashme. Më herët kompania ka patur emrin “Globus Invest” me ortakë të tjerë, dhe nga viti 2022 ka ndërruar emër dhe pronarë. Siç mund të shihni edhe në dokumentet zyrtare të vetë kompanisë, pasqyrat financiare tregojnë se në vitin 2022, “Green Living” kishte 5 milionë lekë humbje, ndërsa edhe pse prej vitesh e pezulluar, në dhjetor të 2022, ka nisur aktivitetin duke kaluar në status “aktiv”. E dyshimtë edhe edhe vlera e kapitalit që kompania deklaron me vetëm 35.000 lekë, duke nxitur paqartësi për paratë që do të investohen në këtë objekt në mes të Tiranës.
4- Kulla e katërt, jo për nga rëndësia, pasi do të ketë plot 52 kate, nga të cilat 8 nëntokë, do të zhvillohet sërish në zonën e Bulevardit të ri të Tiranës. Projekti do të mbajë të njëjtin emër me zonën ku ndërtohet, “Tirana New Boulevard”, e cila do të zhvillohet këtë herë nga dy kompani. Në njërën anë qëndron “Smart Construction Invest” sh.p.k me administrator Redi Strugën dhe nga ana tjetër shoqëria “Progeen” sh.p.k., me administrator Genc Kuçukun.
5- Leja e 5-të e dhënë që i kalon 40 katet është ajo në rrugën Muhamed Gjollesha, në zonën e njohur ndryshe si 21-Dhjetori. Kjo ndërtesë pritet që të jetë Godinë banimi, shërbimi dhe hotelerie 6, 13, 20, 27, 34 dhe 41 kate dhe 5 kate parkim nëntokë. Edhe në këtë kullë projekti do të realizohet nga dy kompani, njëra është “Develalb Construction”, me aksionerë Enea Kaçin dhe Kujtim Shtufin dhe shoqëria tjetër është “Edonil Konstruksion” sh.p.k, me administrator Ismail Meçon.
Edhe në këtë rast, lidhjet nuk mungojnë. Kompania “Devealb Construction” me aksionerë Kaçin dhe Shtufin, përkon të ketë të njëjtët aksionerë edhe në “Nova Construksion”, me ndryshimin e vetëm se në “Nova Construksion” ortak është edhe Ilir Shtufi, një emër i lakuar jo pak nga socialistët për lidhje me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. “Nova ConstruksioN” ndërkohë ka marrë aprovimin për ndërtimin e kullës 58 kate në qendër të Tiranës.
Te kulla pranë 21-dhjetorit, është administratori i kompanisë së Ilir dhe Kujtim Shtufit, Enea Baçi që do të ndërtojë me këtë të fundit kullën e radhës.