Në prill të vitit të kaluar, Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi statusin e Investitorit Strategjik për subjektin White Roads Hotel. Sipas vendimit, kompania e zotëruar nga Milo dhe Florenc Gjikuria parashikonte të investonte 10 milionë euro për ndërtimin e një resorti me hotel dhe struktura akomoduese, që kishin një kapacitet prej 150 njësish.

Projekti shtrihej në një sipërfaqe prej 12 mijë metra katrorësh tokë në Gjilekë të Himarës. Vetë kompania White Roads Hotel zotëronte 3 mijë metër katrorë. Por bashkë me marrjen e statusit të investitorit strategjik, ajo përfitoi edhe 9 mijë metër katrorë tokë shtetërore kundrejt qirasë simbolike 1 euro.

Oreksi vjen duke ngrënë dhe me sa duket 12 mijë metrat nuk mjaftuan. Në qershor të këtij viti, Komiteti i Investimeve Strategjike e ndryshoi vendimin duke i shtuar kompanisë edhe 22 mijë metra të tjera tokë shtetërore.

“Për të përmirësuar hapësirat dhe funksionalitetin e këtij projekti, në përputhje me standartet më të mira të brand-it, subjekti kërkon të marrë me qira një sipërfaqe shtesë shtet prej 21,979.4 m2, me koordinata të përcaktuara, përfshirë pronën private dhe zonën e brigjeve si dhe regjim special në fushën e turizmit,” thuhet në vendimin e fundit të Komitetit të Investimeve Strategjike.

Me pak fjalë, projekti White Roads Hotel do të shtrihet në një sipërfaqe totale prej 33 mijë metra katrorë, nga të cilat kompania dispononte vet vetëm 3 mijë metra dhe mori nga shteti 30 mijë metra katrorë të tjera.

Sipas vendimit, projekti i ri synon të realizojë një resort turistik i konceptuar si një strukturë multidimensionale në tipologjitë e akomodimit dhe faciliteteve. Projekti parashikon ndërtimin e një hoteli me 190 dhoma, njësi për biznes & evente, sera me lule, ambiente sportive, hapësira për fëmijë, SPA, beach bar, kazino dhe njësi të tjera shërbimi.

Qeveria thotë se me shtesën e re të sipërfaqes investimi total i kompanisë do të rritet nga 10 milionë euro në 21.3 milionë euro.

Tokë në zonë të mbrojtur?

Në vendimin e parë të vitit të kaluar, vetë Komiteti i Investimeve Strategjike theksonte se projekti shtrihet në afërsi të monumentit natyror Delta e Përroit të Palasës. “Duke qenë se zona e plazhit që ka kërkuar subjekti ka tjetër formë menaxhimi pasi ndodhet në kufi të Monumentit Natyror “Delta e Përroit të Palasës”, masa mbështetëse e lejimit të përdorimit të brigjeve të detit si dhe zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit nuk mund të miratohet me vendim të veçantë nga Këshilli i Ministrave,” thuhej në vendimin e vitit të kaluar.

Por tashmë që shtohen dhe 22 mijë metra katrorë të tjera sipërfaqe, situata duket se ka ndryshuar. Në vendimin e ri të qershorit të këtij viti, Komiteti i Investimeve Strategjike shkruan:

“Duke qenë se sipërfaqja ku do te zhvillohet investimi ndodhet në afërsi të Monumentit Natyror “Delta e Përroit të Palasës”, kategoria e III e zonave të mbrojtura, kërkohet që projekti i investimit:

  1. të mos prekë dhe cënojë MN “Delta e Përroit të Palasës”, por të zbatohen me kushtet e lejes mjedisore;
  2. linjat elektrike, të ujësjellësit, të kanalizimeve dhe çdo linjë tjetër nuk duhet të shtrihen dhe prekin në sipërfaqen e Monumentit Natyror;
  3. përgjatë kufirit me Monumentin, zhvilluesi të kryejë punime duke krijuar një brez të gjelbër miqësor me mjedisin (mbjellje pemësh e bordura me bare antieroziv);
  4. punimet që do të kryhen në këtë zonë, do të monitorohen vazhdimisht nga AdZM-ja Vlorë duke bashkëpunuar me subjektin zhvillues.”

Ndërsa për përdorimin e brigjeve të detit dhe zonës përkatëse të plazhit, qeveria ja ka lënë topin në dorë Ministrisë së Turizmit.

“Duke qenë se koordinatat e përdorimit të bregut të detit që i referohen projektit, i përkasin formave të ndryshme të menaxhimit, autorizohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me institucionet kompetente të përcaktojë sipërfaqet e mundshme të cilat mund të vihen në dispozicion të këtij projekti investimi si dhe regjimin ligjor respektiv sipas formave të menaxhimit apo rregullime të tjera ligjore,” shkruhet në vendimin e ri.

Pra, qeveria duket se autorizon Ministrinë e Turizmit që të gjejë rrugët për të anashkaluar problemin e monumentit natyror për t’i dhënë kompanisë akses në brigjet e detit dhe zonën e plazhit.