Detaje të reja nga arrestimi i ish-deputetit, Mark Frroku dhe 7 persona të tjerë, nga Policia e Durrësit pas konfliktit të një dite më parë në Kepin e Rodonit në Durrës për çështje pronësie.
Sherri mes banorëve të zonës dhe përfaqësuesve të Kishës ka nisur për pronën, ndërsa më pas ka agravuar deri në dhunë fizike.
Përveç Mark Frrokut, të arrestuar janë edhe Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka, Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri.
Si nisi SHERRI për pronën në “Kepin e Rodonit”:
Përfaqësuesit e Kishës Katolike kanë qenë duke rrethuar pronën për të cilën kanë certifikatë pronësie dhe këtu ka nisur sherri, ndërsa një ditë më parë u raportua edhe për të shtëna me armë.
Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.
Mediat shkruajnë se nga të dhënat paraprake, ka dyshime se personi që ka qëlluar me armë është kushëri i ish-deputetit Frroku.
Kush qëlloi me armë?
Policia nuk e saktëson se kush ka qëlluar me armë në reagimin e saj, por në sherr janë përfshirë edhe persona të tjerë, të cilët janë duke kryer një investim në zonë për turizëm dhe duan të ndërtojnë një mol.
Ndërkohë projekti zhvillimor kalon në tokën për të cilën u bë sherri mes banorëve të zonës dhe përfaqësuesve të Kishës dhe kjo ka çuar në përplasje të ashpër. Personat që duan të ndërtojnë molin janë përfshirë në sherr në mbrojtje të rojës duke qëlluar me armë zjarri në ajër.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh konflikt në këtë zonë mbi këtë çështje, ndërsa policia thotë se kallëzimet janë kryer në prokurori prej disa vitesh. Këta persona janë shoqëruar disa herë.
Njësia administrative, prokuroria, bashkia Durrës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes se Territorit dhe policia kanë qenë në dijeni të situatës konfliktuale, por deri me tani nuk ka pasur asnjë vendim në lidhje me dokumentacionin.
Njoftimi i policisë:
Në zonën e Kepit të Rodonit, disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta, me përfaqësues të kishës katolike, shtetasit N. S., M. F., M. L. dhe P. D.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.
Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri.
Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët pasi kanë marrë ndihmë mjekësore, janë shoqëruar bashkë me shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt, me qëllim kryerjen e veprimeve për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit të sotëm. Sqarojmë se në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka patur herë pas here, mes palëve.