Një avion i nisur nga Rinasi ka pësuar defekt në njërin nga dy motorët duke u detyruar të bëjë ulje emergjente në aeroportin e Barit.
Mediat italiane shkruajnë se fluturimi i Albawings AWT 229 Tiranë-Bolonjë është detyruar të ulet në Bari, pasi teksa fluturonte 11 mijë metra mbi Adriatik, mbi zonën e Garganos është hasur një defekt në njërin nga dy motorët.
Për fat të mirë, avioni ka mundur të ulet në pistën e aeroportit të Barit pa probleme.
Incidenti ndodhi në orët e vona të mëngjesit të 3 nëntorit, në orën 13.12, avioni i linjës ajrore shqiptare me kosto të ulët preku pistën e “Karol Wojtyla” në Bari, saktësisht një orë pas nisjes nga Tirana.
Devijimi nga trajektorja ka ndodhur pikërisht në zonën e Viestes. “Boeing 737”, i cili ka mbi 30 vjet funksionim, u ul në Bari me vetëm një motor të ndezur.
Manovrat emergjente në aeroportin e Barit shkaktuan vonesa edhe për avionët e tjerë në nisje dhe mbërritje. Por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar apo dëme në objektet apo automjetet e aeroportit.