Nga analizimi i produktit “djathë bebe i shkrirë” i mostruar në stabilimentin e përpunimit “E”, ka rezultuar me përmbajtje të yndyrnave bimore, njofton AKU.
Sipas qendrës Alert bëhet fjalë për djath “Bebe EKA”, prodhim i kompanisë “EKA – 2001“, meNipt K213070011 dhe adresë Rruga e Kavajës, 600 metër nga Lapidari i Pezës.
Inspektorët e AKU kanë marrë mostra për t’i analizuar për përbërësit, si dhe ngarkesat mikrobiologjike. Këto të fundit janë analizuar në laboratorin e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë Tiranë dhe kanë rezultuar konform.
Ndërsa për përbërësit e produktit, mostrat janë dërguar në laboratorin e Mjekësisë Veterinare në Shkup (Maqedonia e Veriut).
Ky laborator ka ncjerrë si rezultat se, në djathin e shkrisë (djath bebe) EKA, ka prani të vajit të palmës, i padeklaruar në etiketë.
Certifikata e analizës mban numrin Nr. 2023/9/65, datë përfundimi testimi 13.09.2023 për numrin e kërkesës 7884, si dhe njoftimit te subjektit Eka -2001. Ky dokument është protokolluar në AKU e Tiranës me nr. 10419, datë 03.11.2023.
Djathi që ka rezultuar me prani të vajit të palmës me emërtimin “Djath i shkrirë Eka Bebe” mban datën e prodhimit 22.08.2023 dhe afat përdorimi deri më 22.02.2024.
Megjithëse thuhet se subjekti ka bërë njoftimin për tërheqjen nga tregu të kësaj sasie, dhe sipas raportit të AKU u tërhoqën nga tregu 103 copë x 140 gramë dhe u bllokuan në ambientet e subjektit.
Megjithatë, AKU është ndalur në analizimin e një loti me datë prodhimi e afat përdorimi të lartpërmendur, por askush nuk garanton që sasitë e mëparshme të hedhura në treg dhe që lehtësisht mund të gjenden sot në markete, janë tërhequr plotësisht.
AKU është mjaftuar vetëm me një gjobë ndaj subjektit në vlerën e 100 mije lekëve, produkti nuk është asgjësuar, por vetëm do të rietiketohet nga subjekti e do të rihidhet në treg, ndoshta edhe me data tjera prodhimi e skadence…
Moskomunikimi i riskut për konsumatorët, edhe pse është detyrë ligjore e AKU dhe e vetë subjektit, të dyja vazhdojnë të shkelin ligjin.
Njoftimi në rrjete sociale pa asnjë të dhënë specifike është i padenjë për një institucion të rëndësisë së veçantë./Qendra Alert