Shqipëria shënon sot 111 vjetorin e Pavarësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit që përkujtohet çdo vit me krenari e patriotizëm nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke e shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

Me rastin e kësaj dite të shënuar autoritetet lokale dhe ato qëndrore kanë organizuar evente të shumta që do të mbahen në disa qytete të vendit.

Festimet do të nisin në Vlorën e Ismailit aty ku do të kryhet ceremonia tradicionale e ngritjes së Flamurit me shkabën dykrenare. I pranishëm në këtë ngjarje do të jenë krerët më të lartë të shtetit, mes të cilëve dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Veçantia e kësaj feste do të jetë parada që do të mbahet në kryeqytet, ku do të parakalojnë kryetarët e bashkive dhe komunave nga të gjitha trevat shqipfolëse Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Presheva e Bujanoc.

Të ftuarit specialë janë krerët e komunave arbëreshe në Itali dhe përfaqësuesit e diasporës amerikane.