Skenari është i njëjtë: Do vrisnin gratë e tyre dhe do e raportonin si grabitje, duke u shfaqur të pikëlluar në ceremoninë mortore. Rasti i vrasjes së Liridona Murselit në Kosovë solli në vëmendje një tjetër ngjarje po aq të rëndë të ndodhur në 2021 në Greqi ku Babis Anagnostopoulos vrau bashkëshorten e tij 20-vjeçare Caroline Crouch në maj, me një skenar të mirëmenduar deri në detaje, por jo perfekt.
Në rastin e Anagnostopoulos, hetimet zgjatën për muaj të tërë, deri në zbulimin e të vërtetës ndërkohë që në rastin e Murselit, u deshën 24 orë për t’u zbardhur ngjarja.
I pamëshirshëm, Anagnostopoulos vrau bashkëshorten në dhomën e gjumit në banesën e tyre në Glyka Nera, në prani të fëmijës vetëm 1 vjeç, duke raportuar më vonë në polici se në shtëpinë e tij kishte ndodhur një grabitje ku kishte mbetur e vdekur bashkëshortja.
Sjellja e dy vrasësve është e njëjtë. Të dy janë shfaqur në ceremonitë mortore, të trishtuar dhe duke pritur ngushëllime nga të tjerët. Anagnostopoulos mbante në krahë fëmijën e tyre 1 vjeç, ndërsa ngushëllonte nënën e viktimës ndërkohë që Murseli qëndronte me dorën në zemër, i trishtuar mes njerëzve.
Psikologia e çiftit, ora që mbante në dorë viktima, dëshmitë e ndryshme dhe mospërputhja me kamerat e sigurisë çoi në zbardhjen e ngjarjes së rëndë në Greqi.
Ai tashmë është i dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa ka disa teza që mund të kenë çuar në vrasjen e bashkëshortës.
Gazetari Stefanos Chios hodhi një bombë të madhe duke publikuar dokumente audio dhe duke pretenduar se Caroline i kishte zbuluar të shoqit tradhtinë, një lidhje të tij me një transeksual të quajtur Emanuela. Madje dyshohet se ai furnizonte kartelat e drogës si pilot dhe kur u zbulua nga bashkëshortja, inskenoi vrasjen e saj.
Ndërkohë që media kosovare kanë folur për një mosmarrëveshje midis çiftit Murseli, ende nuk dihen shkaqet që e çuan Murselin të vriste gruan e tij në makinë ndërkohë që po ktheheshin për në shtëpi.
Murseli ka menduar se ky ishte skenari më i mirë i një vrasjeje, njësoj si Babis.
“Familja është gjithçka”, ishte fraza motivuese që mbante në profilin e saj në rrjetet sociale Liridona Murseli (Ademaj), pa e ditur se dhe vdekja do t’i vinte prej njeriut me të cilin ajo kishte zgjedhur të krijonte familjen e saj./Gazeta Si