Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, firmosi “live” shtesë kallëzimin e drejtuar ndaj SPAK-ut për inceneratorin e Tiranës, pasi sipas saj Bashkia e Tiranës ka lejuar një ndërtim pa leje në 15 hektarë tokë.

Sipas deputetes, 15 hektarë është harta e depozitimeve jashtë territorit të landifillit, pra inceneratori ka marrë aq shumë pagesa nga kompanitë e ndërtimit, sa vetëm me depozitimet jashtë kufirit kanë mbushur një sipërfaqe me 15 hektarë tokë.

“Skema e inceneratorëve është një skemë mafioze që vjen e huzuar nga jashtë. Ky denoncim, kjo shtesë kallëzimi që do ta firmos në syrin tuaj, është prej 17 faqesh, me fakte dhe prova se si Bashkia e Tiranës ka lejuar një ndërtim pa leje në 15 hektarë tokë, ka kryer dëm mjedisor, ka ushtruar presion ndaj kompanive të ndërtimit. Është ushtruar presion nga drejtorët e Bashkisë së Tiranës te firmat e ndërtimit. Janë depozituar plehrat jashtë hapësirës së lejes së ndërtimit. Evazion fiskal kanë bërë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Janë blerë edhe media. Këto janë dokumentet që do çoj në SPAK me postë. Letrat në SPAK dorëzohen me postë. Unë u qëndroj kallëzimeve të mia penale”, u shpreh Kryemadhi.