Një 38-vjeçar është vënë në pranga nga policia këtë të shtunë pasi dyshohet se ka tentuar të përdhunojë një 27-vjeçare dhe ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij.

Policia bën të ditur se në pranga është vënë shtetasi me iniciale V. D., 38 vjeç, banues në Grizë, Patos.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin V. D., 38 vjeç, banues në Grizë, Patos.

Ky shtetas, ditën e djeshme, dyshohet se ka marrë në automjet dhe e ka çuar në banesën e tij, pa dëshirën e saj, një shtetase 27 vjeçe, me të cilën ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë.

Gjatë kësaj kohe, ky shtetas ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij, e cila ka ndërhyrë për të larguar 27-vjeçaren nga banesa.

Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, mbetur në tentativë”, njofton policia