Acari i shoqëruar me erëra të fuqishme dhe borë kanë shkaktuar rrëmujë nëpër vendet nordike të enjten, duke i lënë mijëra njerëz pa rrymë dhe shumë të tjerë të ngujuar në veturat e tyre në autostrada.
Ndërkohë, shiu i madh në Gjermani, Francë dhe Holandë, ka shkaktuar përsëri vërshime në rajon, të cilat kanë vazhduar në dy javët e fundit. Në Francë u raportua për një person të vdekur.
Acari shkaktoi pengesa në transport nëpër vendet e rajonit nordik, ku u raportua për kaos në trafik, si pasojë e mbylljes së pjesëve të autostradave dhe rrugëve kryesore. U raportua po ashtu edhe për telashe në shërbimet hekurudhore.
Në Danimarkë, policia u bëri thirrje shoferëve t’i shmangin udhëtimet e panevojshme, pasi era dhe bora kapluan pjesët veriore dhe perëndimore të vendit.
Në Lapland, komunë e Enonetekios në Finlandë, pranë kufirit me Norvegjinë dhe Suedinë, u shënua temperatura më e ulët në këtë vend e këtij dimri të enjten, minus 42.5 gradë celsius. Meteorologët kanë parashikuar temperatura edhe më të ulëta gjatë javës në vazhdim.
Në Gjermani, shiu u madh u rikthye në rajonet të cilat u përballën me vërshime të vazhdueshme gjatë dy javëve të fundit. Kancelari Olaf Scholz planifikoi të enjten ta bëjë vizitën e dytë brenda javës në qytetin jugor, Sangerhausen, në jug të vendit.
Pas disa ditëve reshje shiu, disa qytete në veri të Francës u vërshuan nga uji. Qindra njerëz janë evakuuar në ditët e fundit. Kjo zonë ishte goditur nga vërshimet edhe në nëntor dhe dhjetor.
Një burrë 73-vjeçar u gjet i vdekur në veturën e tij gjysmë të fundosur pranë qytetit Nantes, njoftuan autoritetet franceze. Ai ishte raportuar i zhdukur, pasi ishte larguar nga shtëpia për të blerë bukë dhe nuk ishte kthyer.