Gjashtë ditë më parë, opinioni publik grek, si dhe shqiptar u trondit nga një krim i rëndë në Volos dhe ajo që u zbulua më pas. Fatmir Talellari, 50 vjeç, vrau me armë zjarri kunatin e tij, 33 vjeç, Erjon Pelivani, pasi dyshonte se ka abuzuar seksualisht me vajzën e tij 18-vjeçare.

Së fundmi mediat greke kanë bërë publike një dëshmi të vajzës se si ka rrjedhur ngjarja. Ajo ka treguar se abuzimet kanë nisur në moshën 9-vjeçare ndërsa kur ka qenë 12 vjeçe është përdhunuar për herë të parë.

“I tregova babit se dikush më ngacmoi kur isha në moshën 9-vjeçare dhe më përdhunoi kur isha 12 vjeçe. Shpërtheva në lot. Babai më përqafoi. Reagoi ftohtë dhe më tha se do të ishte gjithmonë në krahun tim. Më tha se do të gjenim një avokat për ta raportuar”, tregoi vajza.

Sipas saj, abuzuesi i saj i ka marrë herë pas here para duke e shantazhuar me një video.

“Ai më tha se kishte nevojë për para sepse ishte në nevojë. Kisha 1 mijë euro në çantë që babai m’i kishte dhënë në mëngjes për qiranë. Kur u kthye në makinë më tha se i kishte marrë paratë nga çanta ime dhe se nuk do të më shqetësonte më. Iu përgjërova që të mos bënte asgjë me videon. Ditën tjetër zbulova se i kishin ngelur 150 Euro nga paratë që kisha në çantë. Kisha frikë nga ai. Kisha frikë se do të më lëndonte mua, motrat e mia dhe babin”, tha ajo.

Vajza është studente në Greqi. Babai i saj i mori me qira një apartament dhe i dha paratë për ta paguar. Të dielën e kaluar, pronarja e shtëpisë e ka marrë në telefon ku e ka njoftuar se pagesa e qirasë ishte vonuar dhe këtu nisi të zbulohej e vërteta.

“Babai u informua nga pronarja e shtëpisë se i detyrohesha 4 qira, rreth 1040 euro. Babai m’i kishte dhënë këto para, por unë nuk i kisha paguar. Ditën tjetër në mëngjes, babai erdhi të më takonte. Në fillim nuk doja t’ia tregoja, por më vonë i shpjegova të gjithë historinë nga fillimi. I kërkova të qëndronte i qetë dhe vendosa ta zbuloja çfarë më ndodhi vite më parë.

Ai më pyeti se kush ishte, por nuk pata kurajon që t’ia tregoja. Avokati më tha që të shkruaja se çfarë më ka ndodhur. Vizitova një specialist. Babai ishte krah meje, duke qarë, duke ndjerë keqardhje për çfarë më ka ndodhur. Ai donte të më mbronte, më përqafoi. Insistoi që të tregoja se kush ishte”, tregoi ajo më tej.

18-vjeçarja shkroi në një ditar gjithçka që i ka ndodhur që nga ngacmimi i parë seksual. Të martën në mëngjes javën e kaluar ajo shpërtheu në lot dhe zbuloi emrin e abuzuesit.

“Babai nisi të qante dhe fajësonte veten për çfarë më ndodhi mua. U ndjeva keq për të dhe i thashë që ai është vëllai i njerkës, gruas së tij të dytë. Pasi dëgjoi këtë, ai u shokua. Këtu ishte kur i insistova që të vazhdoja me padinë. I kërkova kohë që të bisedoja me psikologun dhe u duk sikur pranoi”, tregoi ajo.

Pas krimit, Talellari ka shkuar në zyrën e avokatit. Aty ka qenë e pranishme edhe vajza të cilës i ka treguar se e ka goditur Pelivanin, por nuk e dinte nëse ishte gjallë apo i vdekur. Më pas 50-vjeçari ka njoftuar policinë se do të dorëzohet.

“Në zyrën e avokatit babai më pa i shqetësuar. Nuk e kisha parë kurrë ashtu. Më pas më tha “e godita, nuk e di nëse ka vdekur”. Nuk më tha se kë, por e kuptova se çfarë donte të thoshte. Pata një sulm paniku. Nuk mbaj mend shumë gjëra. Mbaj mend babin që mori policinë dhe i tha “Godita dikë, është një makinë e argjendtë. Nuk e di nëse ai është gjallë apo i vdekur. Për 10 minuta do të vij të dorëzohem””, citoi vajza.

Vajza ka treguar se përdhunimi i fundit ndodhi dy muaj më parë në shtëpinë në Volos.

“Më detyroi ta takoja sepse më tha se nëse nuk e takoj do të dërgonte videon tonë që kishte në celular. Hipa në makinën e tij dhe në një moment dola sepse ndjeva se nuk doja të kisha kontakt të afërt me të. I kërkova të mos më ngacmonte më dhe më tha “ok, kjo do të jetë hera e fundit”.

Videoja me të cilën 33-vjeçari shantazhonte të renë është 36 sekonda. Sipas 18-vjeçares, ai e ka filmuar kur ka qenë 13 ose 14 vjeçe.

“Videoja ekziston. Unë e kam parë. Ai ma tregoi një vit më parë me foto dhe në nëntor kur u takuam për herë të fundit ai e dërgoi në celularin tim dhe e fshiu. Videoja është 36 sekonda e gjatë. Ai ndodhet në shtëpinë time në një dhomë nga Argalasti. Fytyra nuk i duket qartë, por tatoo-ja e tij është e dukshme. Unë isha në shtrat në gjendje të keqe. Ai erdhi mbi mua. Duhet të kem qenë 13 ose 14 vjeçe asokohe. Nuk e kam lejuar kurrë një gjë të tillë”, shprehet ajo.

E reja ka treguar si nisi çdo gjë.

“Në moshën 9-vjeçare u ngacmova seksualisht për herë të parë nga… Ai është vëllai i njerkës. Ai më detyroi që të shtrihem para tij me pretekstin se po shihnim një film. Ai vendosi dorën rreth qafës sime dhe më pas e uli në kraharor. Teksa kalonte ai më prekte në vende të ndryshme. Më thoshte që të fle. Ai bënte sikur flinte, por përpiqej që të më prekte me dorën e tij. Deri në moshën 12-vjeçare, ai më preku në vende të ndryshme dhe bënte lëvizje me qëllim që të bëja edhe unë të njëjtën gjë. Ai më ushtroi presion dhe vazhdoi të më prekte në vende që s’duhet. Herë të tjera më hiqte bluzën dhe më përkëdhelte gjoksin. Çdo përpjekje që bëra për t’u larguar ishte e kotë”, rrëfeu ajo sipas mediave greke.

Fatmir Talellari u la këtë të hënë në arrest shtëpie në lidhje me këtë ngjarje. Tre vajzat e tij që ishin të pranishme në seancë, shpërthyen në lot kur trupa gjykuese dha vendimin.

Autori Fatmir Talellari u dorëzua vetë në polici ditën e ngjarjes, duke thënë se kishte vrarë kunatin pasi kishte mësuar nga vajza e tij që ishte abuzuar seksualisht nga 33-vjeçari Erjon Pelivani për 9 vite me radhë.