Ish-presidenti Donald J. Trump ka komunikuar me sundimtarin de facto të Arabisë Saudite, Princin Mohammed bin Salman. Biseda e tyre e parë është bërë në janar 2024, e cila përkon me kohën kur ai la Shtëpinë e Bardhë.
Por deri më tani është ende e paqartë se çfarë diskutuan të dy burrat dhe nëse kjo ka qenë biseda e tyre e vetme që nga largimi i Trump nga Shtëpia e Bardhë. Edhe pse “NYT” ka kërkuar sqarime, as përfaqësuesit e Trump dhe as një zyrtar i qeverisë saudite nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Por lajmet për diskutimin e tyre vijnë në një kohë kur administrata Biden është e angazhuar në negociata delikate me sauditët që synojnë vendosjen e një paqeje të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, duke u mbështetur në lidhjet diplomatike midis Izraelit dhe disa shteteve arabe. Nga ana tjetër, Trump, si kandidati republikan mund të bllokojë çdo marrëveshje ose ta pengojë, për të bërë vetë. Kjo pasi tani, Trump ka arsye të tjera për të mbajtur marrëdhënie të ngrohta me Princin Mohammed.
Ish-presidenti dhe Jared Kushner, dhëndri i tij dhe ish-këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, krijuan lidhje të ngushta me princin e kurorës ndërsa ishin në detyrë. Madje këtë lidhje të ngushtë e kanë kapitalizuar në një biznes.
Ndaj edhe Arabia Saudite ishte ndalesa e parë në udhëtimin e parë jashtë vendit të Trump si president. Më tej, Trump firmosi marrëveshje të mëdha me sauditët, duke përfshirë shitjen e armëve dhe mbrojtjen ndaj Princit Mohammed në momentin kur ai u përball me presionin e madh për urdhrin e vrasjes së gazetarit disident Jamal Khashoggi në vitin 2018.
9 muaj pas vrasjes, =Trump e quajti princin Mohammed “mikun e tij” dhe vlerësoi “punën spektakolare” që ai kishte bërë në liberalizimin e ligjeve të Arabisë Saudite, duke përfshirë lejimin e grave për t’i dhënë makinës. Madje kur ishte ende në detyrë, Trump i tha gazetarit Bob Woodward se “i shpëtova b*thën” kur Princi Mohammed po kritikohej nga zyrtarë të lartë në Kongresin amerikan.
“Isha në gjendje të detyroja Kongresin që ta linte të qetë. Unë kam qenë në gjendje t’i bëj ata të ndalojnë,”- shtoi Trump.
Që nga largimi nga presidenca, Trump ka shfrytëzuar lidhjet e tij saudite. Në të njëjtën kohë kur ai po përgatitej të shpallte fushatën e tij presidenciale, në nëntor 2022, Organizata Trump po vendoste detajet e fundit në një marrëveshje me qeverinë e Omanit dhe një firmë saudite për një zhvillim të pasurive të paluajtshme shumë miliarda dollarëshe. Po ashtu, edhe Kushner ka përfituar nga mbështetja e Princit Mohammed në një shkallë edhe më të madhe. Vetëm gjashtë muaj pas largimit nga qeveria, firma e investimeve të Kushner, Affinity Partners, siguruan 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite, në atë që u përshkrua në dokumentet e brendshme si një “marrëdhënie strategjike”.
Aq e ngushtë është miqësia, saqë mjë panel këshilltarësh të fondit të pasurisë sovrane saudite i rekomanduan Princit që të mos investonte me Kushner, sepse ky i fundit nuk kishte përvojë, por Muhammed nuk dëgjoi askënd. Princi i kurorës saudit nuk është i vetmi lider i huaj me të cilin Trump është angazhuar së fundmi. Muajin e kaluar, ai priti kryeministrin Viktor Orban të Hungarisë në pronën e tij Mar-a-Lago në Florida për një takim, i dyti që ata kanë mbajtur në dy vitet e fundit. Një person i afërt me zotin Trump tha se ishte Orban, ai që kërkoi takimin.
Në disa nga tubimet e tij, Trump e ka lavdëruar Orban – edhe pse ky i fundit në Europë, konsiderohet si minues i institucioneve demokratike, por për republikanin, hungarezi është një lider jashtëzakonisht i fortë.
Marrë nga NewYorkTimes