Bardhi dhe Manja mashtruan ambasadën amerikane dhe atë të BE, si përfituan zyrtarët e dënuar nga Amnistia Penale

Prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë në rang drejtori e të niveleve të mesme administrative, të dënuar për korrupsion, shpërdorim detyre e shkelje të barazisë në tendera, përfitojnë ulje dënimi në bazë të Aministisë së miratuar pak javë më parë me konsensusin pozitë-opozitë në Parlament.

Dy kumbarët e Amnistisë, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, nga ana e maxhorancës dhe kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, nga opozita, garantuan opinionin publik se, nga amnistia, nuk do të përfitonte asnjë zyrtar i dënuar nga Gjykata e Posaçme.

E njëjta garanci iu ofrua edhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët po “bëhen copash” për drejtësinë e re në Shqipëri.

Por, përtej këtyre përbetimeve publike, faktet flasin ndryshe.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), në një njoftim zyrtar shpërndarë këtë fundjave, deklaroi se përfitues nga Amnistia janë të paktën 80 persona, subjekte të hetimit të tij.

Edhe SPAK u tregua disi “politikisht korrket”, kur përmend se në listën e përfituesve janë persona të hetuar apo dënuar për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.

Ndërkohë, e vërteta është që përfitues nga Amnistia “Manja-Bardhi” janë edhe zyrtarë të dënuar për korrupsion.

“Amendamenti Bardhi”

Gjithçka ka ardhur pas pranimit që maxhoranca i bëri një amendimi të kreut parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, mbi draft-amnisinë e hartuar nga Ministria e Drejtësisë.

Në nenin 5 të projekt-ligjit për Amnistinë parashikohej se “përjashtohen nga ulja e dënimit,  për efekt të amnistisë, personat, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale”.

Ky nen, në katër pikat e tij (“a”, “b”, “c”, “ç”) përcakton veprat penale që gjykohen nga Gjykata e Posaçme (korrupsion, shpërdorim detyre, shkelje e barazisë në tendera…), si edhe subjektet e kësaj gjykate (zyrtarët e nivelit të lartë për të gjitha veprat penale dhe çdo lloj zyrtari tjetër për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, etj).

Bardhi dhe Manja mashtruan ambasadën amerikane dhe atë të BE, si përfituan zyrtarët e dënuar nga Amnistia Penale
Bardhi dhe Manja mashtruan ambasadën amerikane dhe atë të BE, si përfituan zyrtarët e dënuar nga Amnistia Penale
Projekti paraprak për Amnistinë

Në një amendim, të dorëzuar “in extremis”, vetëm pak orë para votimit të Amnistisë në Parlament, Gazmend Bardhi, me konsensusin e qeverisë, sugjeroi përfshirjen në uljen e dënimit të një kategorie zyrtarësh të lartë administrativë, të akuzuar për korrupsion, shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera, etj.

Më konkretisht, amendamendi i Bardhit ishte: “Përjashtohen nga ulja e dënimit…personat, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata e Posaçme, sipas parashikimeve të pikave “b”, “c”, “ç” të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale”.

Praktikisht, Bardhi propozoi heqjen nga lista e ndalimeve për përfitim Amnistie pikën “a” të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.

Amendamenti “Bardhi” për ligjin e Amnistisë

Ky amendim, i pranuar nga maxhoranca dhe i votuar në variantin final të Amnistisë, hiqte nga lista e ndalimeve për përfitimin e amnistisë ose, më thjesht, përfshinte në listën e përfituesve, një kategori të gjerë zyrtarësh të dënuar për korrupsion, shpërdorim detyre e shkelje të barazisë në tendera.

Varianti i miratuar i Amnistisë

Për të kuptuar se kush janë përfituesit nga “amendamenti Bardhi”, ndihmon neni 75/a, pika “a” e Kodit të Procedurës Penale.

Ky nen parashikon:

“Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon:

  1. a) krimet e parashikuara nga nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 257, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh dhe 319/e;

Bardhi dhe Manja mashtruan ambasadën amerikane dhe atë të BE, si përfituan zyrtarët e dënuar nga Amnistia Penale
Bardhi dhe Manja mashtruan ambasadën amerikane dhe atë të BE, si përfituan zyrtarët e dënuar nga Amnistia Penale
Neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale

Në pikat “b”, “c” dhe “ç” të këtij neni parashikohen se kompetencë e Gjykatës së Posaçme janë hetimet për grupe kriminale, zyrtarët e nivelit shumë të lartë (presidenti, kryeministër, ministra, deputetë, drejtuesit e sistemit të drejtësisë, kryetarë bashkie.

Çfarë sugjeron “amendamenti Bardhi”

Amendamenti “Bardhi” propozoi praktikisht që të ndalohet ulja e dënimit për zyrtarët e lartë (nivel ministri, kryetar bashkie…., të parashikuar në pika “b”, “c” dhe “ç” të nenit 75/a), por të përfitojnë nga Amnistia të gjithë zyrtarët e tjerë, të dënuar për veprat penale që gjenden në pika “a” të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale).

Cilët përfitojnë

Për të kuptuar se cilët zyrtarë të dënuar përfitojnë, vlen të shihet se cilat janë veprat penale të përfshira në Amnisti nga amendamenti “Bardhi”.

  1. krimet e parashikuara nga nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 257, 258, 259, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh dhe 319/e

Më konkretisht, lista e veprave penale, për të cilat Amnistia parashikon ulje dënimi, janë për zyrtarët dhe personat e tjerë, të dënuar për:

– Neni 244- Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike;

– Neni 244/a- Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë;

– Neni 245- Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë

– Neni 245/1- Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;

– Neni 257- Përfitimi i paligjshëm i interesave;

– Neni 258- Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike;

– Neni 259- Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publik;

– Neni 259/a- Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë;

– Neni 260- Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë (Ky nen përjashtohet nga Amnistia);

– Neni 312- Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit;

– Neni 319- Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë;

– Neni 319/a- Korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare;

– Neni 319/b- Korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj;

– Neni 319/c- Korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaj;

– Neni 319/ç- Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë;

– Neni 319/d- Korrupsioni pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare;

– Neni 319/dh- Korrupsioni pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj;

– Neni 319/e- Korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaj;

Leximi i Amnistisë dëshmon se një numër i konsiderueshëm zyrtarësh përfitojnë ulje dënimi, pavarësisht se “iniciatorët e saj”, Ulsi Manja dhe Gazmend Bardhi pohuan të kundërtën.

Është e kuptueshme që maxhoranca kishte interes për amnistinë e një numri të konsiderueshëm të zyrtarëve të saj, të dënuar për vepra të ndryshme penale nga Gjykata Kundër Korrupsionit.

Por, ajo që është e pakuptueshme është fakti se përse, ky qëllim i maxhorancës, u realizua nëpërmjet “duarve” të kryetarit të Grupit Parlamentar, Gazmend Bardhi.

Ky i fundit, ashtu si edhe Manja, mashtruan opinionin publik. Por, ndërsa Manja është pjesë e një kabineti qeveritar, të akuzuar shpesh për mashtrime, qëndrimi “mashtrues” i Bardhit për Amnistinë ngre pikëpyetje se, nëse opozita gënjen kur nuk ka pushtetin, çfarë mund të ndodh në rast se fiton qeverisjen? /boldnews.al