Banka e Shqipërisë dhe Guvernatori Gent Sejko kanë ngritur një alibi të dobët në SPAK, kur i kthejnë përgjigje prokurorëve të posaçëm se përse nuk kanë shfuqizuar licencën e Micro Credit Albania. Shkresa e siguruar nga Voxnews.al dhe e dorëzuar në SPAK më 15 prill 2024 dhe e firmosur nga zëvendësguvernatorja, Natasha Ahmetaj thotë tekstualisht se:

‘Banka e Shqipërisë nuk ka proceduar deri më tani me marrjen e masës së revokimit të licencës, duke marrë në konsideratë disa faktorë. Duke revokuar (shfuqizuar) licencën, MCA nuk do të ishte më subjekt i mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë dhe kështu do të ishte jashtë perimetrit të mbikëqyrjes, që do passillte që subjekti të mos raportonte më në regjistrin e kredive, të mos vijonte komunikimin me Bankën e Shqipërisë dhe kështu mund të krijoheshin situata, ndoshta edhe më të rënda në raport me detyrimet e kredimarrësve’.

Argumenti i ngritur nga Banka e Shqipërisë nuk qëndron për disa arsye. Së pari, Banka e Shqipërisë, siç mundi të konfirmojë Voxnews.al, është njoftuar në disa raste nga bankat e nivelit të dytë për praktikat e paligjshme, abuzive dhe skemat e mashtrimit në të cilat ishte e përfshirë Micro Credit Albania.

Burime të Voxnews.al pohojnë se sinjalizimi i parë në Bankën e Shqipërisë ndaj veprimeve të zyrave përmbarimore që vepronin për llogari të Micro Credit Albania, ka mbërritur në Bankën e Shqipërisë vjeshtën e vitit 2019, gati pesë vite më parë. Shkresa ishte e një banke të nivelit të dytë greke që sot është mbyllur në Shqipëri.

Në të, banka e nivelit të dytë ngrinte shqetësim se zyra përmbarimore kishte kërkuar bllokimin e llogarive ku disa klientë të saj merrnin rrogat. Banka e nivelit të dytë shprehte shqetësim se kjo praktikë ishte ekstraligjore dhe shkelte të drejtat e kredimarrësve, pasi nuk garantohej minimumi jetik.

Por, Banka e Shqipërisë dhe Guvernatori Gent Sejko reaguan vetëm në fund të vitit 2023 dhe masa e marrë nuk ishte shfuqizimin e licencës së Micro Credit Albania, por revokimi i saj duke i lënë mundësi institucionit financiar, që dyshohet se ka rrjepur nga qytetarët deri në 200 milionë euro përmes skemave të mashtrimit të vazhdojë mbledhjen e portofolit të kredisë ekzistuese.

Së dyti, dokumentet zyrtare të Bankës së Shqipërisë, siç është Lista e Subjekteve Jofinanciare që u është revokuar licenca kanë edhe Micro Credit Albania, pa sqaruar se me çfarë vendimi i është revokuar kjo licencë dhe kur. Kompania në pronësi të Olsi Ibros, që akuzohet se me Arben Meskutin ngritën një skemë të mirëfilltë mashtrimi, sipas dokumenteve të Bankës së Shqipërisë është pajisur me licencë fillimisht më 27 shkurt 2015, ndërsa ka marrë një tjetër licencë në maj të vitit 2016.

Së treti, Banka e Shqipërisë dhe Guvernatori Gent Sejko ishin në dijeni se një pjesë e mirë e viktimave të kompanisë Micro Credit Albania janë qytetarë që e kanë marrë kredinë te bankat e nivelit të dytë para vitit 2015. Bankat, para këtij vitit ja kanë shitur Micro Credit Albania kreditë, duke iu shmangur një ligji të miratuar në atë kohë, që i detyronte të fshinin nga bilancet të gjitha kreditë që nuk paguheshin prej 3 vitesh. Ligji detyronte vetëm bankat që të fshinin këto kreditë dhe jo institucionet financiare. Këto të fundit u gjallëruan edhe më shumë përmes blerjeve të kredive me probleme nga bankat.

Analiza e shkresave me shqetësimet e ngritura nga bankat e nivelit të dytë, si dhe dosja e Prokurorisë së Tiranës, që tashmë ja ka përcjellë SPAK-ut për kompetencë, sugjeron se janë rreth 100 mijë qytetarë që kanë rënë pre e skemës mashtruese të Micro Credit Albania, e cila nuk është as e re dhe as e panjohur për Bankën e Shqipërisë.

Bëhet fjalë vetëm për një kompani, pa llogaritur këtu edhe kompani të tjera që kanë aplikuar të njëjtën skemë, duke sugjeruar se bëhet fjalë për një skandal financiare në përmasa gati të njëjtë me atë të piramidave para vitit 1997.