Qytetarët e Shkodrës kanë hedhur lule në ujërat e lumit Buna, aty ku u ndërpre në mes jeta e nënës dhe 3 fëmijëve të saj. Nënkryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, tha se sot festa në Shkodër u kthye në dhimbje, pasi disa lule të bukura i mungojnë qytetit.
“Në këtë ditë që Shkodrës i fali 6 majin, ditën e luleve, disa lule shkëputen tragjikisht nga jeta. 6 maji në Shkodër festohet me fëmijë, lule, koncerte, këngë e recitime, por sot i mungonte diçka thelbësore këtij gëzimi. Kërkimi vijon ende, se ende nuk janë gjetur 3 trupa, kemi Eriseldën të gjetur të pajetë, e cila sot përcillet në banesën e fund. Sot si nënë si grua, si përfaqësuese e bashkisë Shkodër, ndjehem e trishtuar, e pikëlluar se pikërisht në këtë ditë ku të gjithë organizoheshin për festë dhe ndodh një pikëllim. Por populli e ka pas në traditë të mbledhë forcën dhe t’i përballojë të gjitha sipas zakonit e riteve dhe Eriselda të pushojë në paqe dhe nëna me dy fëmijët e tjerë të gjendet dhe ne të mos kemi më të tilla ngjarje”.
Ajo ftoi gratë të denoncojnë dhunën, fëmijët që shohin nënën të dhunohet, gjyshet që dëgjojnë debate pas dyerve të mbyllura në mënyrë që këto raste të parandalohen dhe të mos jenë vetëm sensibilizim pasi tragjedia ndodh.
“I bëj thirrje të gjitha grave, vajzave, fëmijëve që shohin dhunë pas prindërve dhe nënave që dëgjojnë pas dyerve grindje t’i denoncojnë në instancat e profilizuara për këtë punë. Bashkia e Shkodrës ofron shërbime për gratë e dhunuara e viktimat e shpëtuara, por duhet t’i parandalojmë ato”.
SHKODËR- Shkodra është tronditur të dielën nga ngjarja e rëndë e vetëvrasjes së Alma Arrazit, së bashku me 3 fëmijët e mitur, ndërsa sot i jepet lamtumira e fundit vajzës 9-vjeçare, trupi i të cilës u gjet paraditen e djeshme në lumin Buna.
Teksa i ati ndodhet në burg, nëna dhe dy motrat e vëllezërit e saj të zhdukur në lumin Buna, vogëlushja pritet që të përcillet në banesën e fundit nga familjarët e babait të saj. Këta të fundit shprehen se Ergysi i donte shumë fëmijët e tij, dhe nuk ka ushtruar kurrë dhunë ndaj tyre, edhe pse pranojnë konfliktet në çift.
“Jemi të lënduar dhe shokuar, nuk ja falim nuses vendimin fatal qe ka ndërmarrë duke i marrë jetën vetes dhe tre fëmijëve. Ai i adhuronte fëmijët. Nuk do t’i bënte kurrë keq atyre. Punonte gjithë ditën në servis celularësh që t’i çonte në shkollë private. Me nusen mund të kishte probleme, por ajo kurrsesi nuk duhet t’ua bënte këtë fëmijëve. Këtë nuk ja falim”.
Ata pohojnë se çifti është njohur me dashuri dhe kanë kaluar shumë mirë, por prej kohesh nusja merrte ilaçe tek ambulanca e lagjes për gjendjen e saj jo të qetë emocionale. Ndërkohë që familjarët e Almës, përveç motrës së saj që ka dëshmuar dhunën e kunatit, kanë qenë disi të heshtur në këtë krim makabër.
Policia ka sekuestruar pamje të kamerave të sigurisë ku shihet Alma Arrazi me 3 fëmijët duke pirë kafe në një lokal pranë urës së Bunës. Por më pas nuk është kapur në asnjë kamera sigurie. Polumbarëve të RENEA-s iu kanë ardhur sot në ndihmë dhe Forcat e Armatosura, ndërkohë që po kërkohet ndihmë dhe nga autoritetet malazeze, për të ushtruar kontrolle në të dyja anët e kufirit.
Sipas banorëve të zonës, gjetja e trupave do të jetë e vështirë, për shkak të temperaturave të ujit, por edhe thellësisë së lumit Buna.