Alket Deda, Ksenofon Bodo, Selami Lushkaj ishin tre të arrestuarit e pak ditëve me parë, si pjesë e grupit kriminal të Gëzim Çelës, që ranë në pranga gjatë operacionit me urdhër të SPAK.
Tre trafikantët pjesë e një grupi kriminal ranë në pranga pas urdhrit të SPAK, pasi tentuan të trafikonin drogë përmes detit në 15 gusht të vitit 2023, operacion i koduar “Flakë në det”.
Tch ka publikuar një pjesë nga dosja e plotë, ku ndër të tjera janë deskriptuar bisedat e anëtarëve të këtij grupi, ku flisnin për drogën, çmimin e saj dhe sesi do ta nxirrnin jashtë vendit.
Një prej tyre është dhe Arlind Ismajlukaj, i cili ka kryer komunikimi me disa persona.
Pjesë nga dosja:
Në datën 14 Gusht 2023, ora 22:08:05, nga pamjet filmike të kamerës nr. 16, kanë mbërritur së bashku me automjetin tip “BMW”, shtetasit Gëzim Çelaj dhe një shtetas tjetër që pas identifikimit rezulton të jetë shtetasi Dritan Metaj, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kurbin.
Këta dy persona kanë udhëtuar së bashku, ku drejtues i mjetit ka qenë shtetasi Gëzim Çelaj. Këto dy shtetas, së bashku janë futur në derën ku sipër saj është mbishkrimi “Private”, dhe kanë qëndruar aty deri në orën 23:24:49 të datës 14 Gusht 2023. Gjithashtu, nga pamjet filmike të kamerës nr. 16 rezulton se këto dy shtetas janë larguar së bashku nga ambientet e restorantit në orën 23:24:49, me automjetin tip “BMW”, ku shtetasi Gëzim Çelaj, në cilësinë e drejtuesit të mjetit dhe shtetasi Dritan Metaj, në cilësinë e pasagjerit.
II.6. Në vijim të veprimeve hetimore, janë administruar aktet e ekspertimit të telefonave të shtetasit Arlind Ismajlukaj, dhe nga kqyrja e të dhënave të përfituara nga ekspertimi telefonik i aparatit të telefonit të sekuestruar këtij shtetasi, rezulton se ai ka të instaluar në rrjetin social “Signal” numrin e telefonit …., të vendosur në një aparat telefonik të markës “Iphone” model A2 101, me ngjyrë të zezë. Rrjeti “Signal” ka të regjistruar profilin e Arlindit me emërimin “Karadayi”, ndërsa telefoni tjetër është “Iphone” 14 PRO MAX, në të cilin është vendosur numri i telefonit ….
Në rrjetin social “Signal”, nga profili “Karadayi”, ai ka komunikuar me një sërë personash, duke përfshirë dhe ata që tashmë janë të arrestuar në kuadër të këtij procedimi.
Po kështu, nga mesazhet dhe bisedat e kryera në këtë rrjet social, rezulton se numri …. është i regjistruar me emrin “Sela”.
Nga mesazhet e shkëmbyera në datën 14 Gusht 2023, ditë në të cilën ka ndodhur dhe ngjarja në fjalë, disa orë para nisjes së mjetit lundrues, rezulton se në orën 12:21:51, nga numri i telefonit të regjistruar me emrin “Sela”, poseduesi i tij i ka dërguar Arlind Ismajlukaj, në profilin “Karadayi”, një foto ku shihet nje fletë ku me shkrim dore ndodhen mbishkrimet: 53×10 kg me CH BLU, 20×5 kg me E Kuqe, ne F BLU ???, 27×5 kg me RX kuqe, 7×5 kg me $ blu”, si dhe tre mesazhe zanore me: “…ato me F blu, 10 herë 5, pesëdhjetë, sa janë ato, ato janë të atina, te Fonit i ke pikëpyetje ato… dhe këto 7 herë 5 blu që i ke me dollarit, këto jane këto të serës… ato 27 la, që i ke 27 me nga 5 kille që janë me RX, ai është mall i mirë shumë, kurse ato tjerat 100, 20 herë 5 që i ke me të parë, që i ke mas atyne të hamzës, me nje fjalë ai është me i dobët se ky, se kjo 27, ajo njëqindshja, ai 27 është më i mirë është mall super, sia hap rrugën atyre të hamzës…” ndërkohë që Arlindi përgjigjet me “ok”.
Më pas, Sela i dërgon Arlindit një video. Nga pamjet e videos vihet re që është një thes i zi, i cili brenda tij ka bimë të thata, të cilat lëvizën nga dora e një personi.
Këto bimë ngjasojnë me bimët narkotike. Në sfond dëgjohet zëri i një personi që ngjason me personin i cili regjistron videon: “…ku e paska bërë këtë punë ai o vlla, he, hajde punë hajde…”.
Nga pamjet e fotove vihet re që është dora e një personi i cili mban disa bimë të thata. Këto bimë ngjasojnë me boçet e bimës narkotike.
Nga sa më sipër, rezulton se “Sela” është pjesëmarrës në veprimtarinë e kundërligjshme të trafikimit të lëndës narkotike, në datën 14 Gusht 2023, dhe konkretisht është marrë jo vetëm me kultivimin e lëndës narkotike, por dhe me grumbullimin dhe me paketimin e saj.
II.7. Nga sa rezulton nga biseda e sipërcituar, një pjesë e lëndës narkotike e cila do të trafikohej në datën 14 Gusht 2023, është prodhuar nga një person që bashkëbiseduesit i drejtohen me emrin “Foni”.
Nga kqyrja e bisedave në rrjetin social “Signal” rezulton se Arlind Ismajlukaj, i cili ka si profil në këtë rrjet social me emrin “Karadayi”, ka shkëmbime mesazhesh me tekst dhe zanore me një numër i regjistruar me emrin e profilit “Ffffon Orikum”.
Nga bisedat me këtë shtetas, rezulton se “Foni” është kultivues dhe grumbullues i lëndës narkotike të llojit “cannabis sativa”.
Me konkretisht, në bisedat e datës 19 Qershor 2023 deri në 6 Gusht 2023, ata bisedojnë për sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike, duke përfshirë dhe dërgim të fotove të lëndës narkotike “cannabis sativa”, si dhe për shuma monetare të siguruara nga ky aktivitet.
Në bisedën e datës 26 Qershor 2023, ora 18:12:38, Arlindi, nga profili “Karadayi”, e pyet Fonin me profilin “Ffffon Orikum”, nëse mund të gjejnë 100 kg bar, që nënkupton lëndën narkotike, ndërkohë që Foni i kthen përgjigje që 60 (gjashtëdhjetë) i ka ai ndërsa 100 (njëqind) janë në Fier, ndërkohë që për sasinë që është në Fier poseduesi i saj i ka thënë me 500 (pesëqind).
Vetë Foni po e mbledh për Arlindin me një vlerë rreth 450 (katërqind e pesëdhjetë), që nënkupton çmimin për kilogram të lëndës narkotike.
Po kështu, Foni e siguron Arlindin që është super punë, çka nënkupton që lënda narkotike ka cilësi të mirë. Biseda vijon dhe ne datën 27 Qershor 2023, ku rezulton se Foni e vë në dijeni Arlindin, se po i bën gati pako dhjetëshe, që nënkupton ambalazhim dhjetë kilogramësh, ndërkohë që biseda vijon se pesëdhjetë i takojnë Arlindit dhe njëzet i takojnë Fonit.
Pas rreth tre orësh nga biseda në fjalë, po në datën 27 Qershor 2023, ora 22:11, Foni i kthen përgjigje Arlindit, se e ka sistemuar (nënkuptohet lënda narkotike) dhe 52.5 janë super punë, ndërkohë që 20 duhet t’i shohë Arlindi më parë.
Ndërsa Arlindi i kthen përgjigje se transporti do të bëhej të nesërmen, Foni i shpjegon se paketimi është bërë me vakum në qese të zeza të trasha.