Gazetarja Anila Hoxha ka dhënë detaje nga hetimet e Prokurorisë së Shkodrës, në lidhje me tragjedinë në familjen Arrazi, ku Alma dhe 3 fëmijët e saj u gjetën të mbytur në lumin Buna. Sipas gazetares, kryefamiljari Erdgys Arrazi është duke u mbajtur në një dhomë të veçuar ku nuk i lejohen kontaktet me askënd tjetër, përveç avokatit të tij mbrotjës. Policia dhe prokuroria po hetojnë në lidhje me vendndodhjen e tij, në momentin kur Alma Arrazi dhe tre fëmijët e saj dyshohet se janë hedhur në lumin Buna.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Shkodrës ka dyshime dhe në lidhje me kunatën e Alma Arrazit, personin e fundit që ka takuar 4 viktimat. Prokuroria ka dyshime që ajo nuk është treguar e sinqertë në dëshminë e saj. Kunata e Almës, që është bashkëshortja e vëllait të Erdgysit ka dhënë dy dëshmi kontradiktore. Fillimisht ajo ka deklaruar se Alma i kishte thënë se do të ikte në shtëpi të qetësohej, dhe në rastin e dytë ajo ka deklaruar se viktima i kishte thënë se do ta merrte me taksi vëllai i saj, për të shkuar në Durrës ku jetonin familjarët e saj.
Nga ana tjetër sipas Hoxhës, e dashura e Erdgys Arrazit, me të cilën janë gjetur komunikime të shumta, dhe foto të saj edhe me fëmijët e mitur të çiftit, nuk është marrë ende në pyetje. Kjo për shkak se e reja ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.
Telefoni i viktimës nuk është gjetur ende, i cili mund të ishte një element i rëndësishëm në zbardhjen e ngjarjes së rëndë.
Gjatë ditës së djeshme, u publikuan dhe disa pamje filmike, që janë kapur para tragjedisë së rëndë, ku viktima shihej teksa dilte nga kafja me tre fëmijët e saj, dhe më pas përshëndetej me kunatën e saj.
Momenti i dytë që Alma ishte fiksuar nga kamerat e sigurisë, është teksa shihet në hyrje të urës së Bunës.