Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar ankimimin e bërë nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me vendimin e marrë nga shkalla e parë e GJKKO-së, për dënimin e ish-kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici me 2 vjet burg për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe Alma Kaçit me 1 vit për “Prostitucion”.

Në njoftimin për mediat Apeli i Posaçëm bën me dije se seanca e parë do të mbahet më datë 13 Qershor, në orën 09:00. Trupa gjykuese do të përbëhet nga gjyqtari Florjan Kalaja (kryesues), Miliana Muça (Anëtare), dhe Igerta Hysi (Anëtare).

NJOFTIMI: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 13.05.2024, regjistroi çështjen penale nr. 33 akti, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankuesve/të pandehur S.Gj., A.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 8, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka deklaruar fajtor të pandehurit për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal. Sipas shortit të datës 14.05.2024, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtari Florjan Kalaja (kryesues), Miliana Muça (Anëtare), dhe Igerta Hysi (Anëtare). Seanca gjyqësore publike është caktuar për më datë 13.06.2024, ora 09:00.

Safet Gjici u përfshi në një skandal seksual. Publikimi i videos, ku ai kryente marrëdhënie seksuale në zyrë me Alma Kaçin nuk i kushtoi Gjicit vetëm lënien e mandatit por dhe burgun. Ndërsa Alma Kaçi u dënua me 1 vjet burg. Safet Gjicit iu ndryshua akuza nga ajo e “Korrupsionit” në “Shpërdorim detyre”. Ndërsa Alma Kaçi akuzohet për “Prostitucion”. Kjo e fundit në një reagim pas vendimit të GJKKO u shpreh se vendimi i marrë është i padrejtë, ndërsa hodhi akuza ndaj Gjicit dhe sistemit të drejtësisë. Gjici tha në gjykatë se ai kishte marrë dënimin më të madh, atë moral dhe se ndihej fajtor për turpërimin që i kishte shkaktuar familjes. Po ashtu Safet Gjicit i hiqet edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për pesë vjet.