Forcat RENEA dhe FNSH kanë zhvilluar një megaoperacion prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në qytete të ndryshme të vendit për kapjen e personazheve të njohur të botës së krimit.
Bosët e krimit, për të cilët janë lëshuar urdhër arrestet me firmë të prokurorëve të SPAK Altin Dumani dhe Alfred Shehu, dyshohet se janë përfshirë në një seri atentatesh në vend.
Policia ka ushtruar kontrolle në banesën e vëllezërve Duka në Tiranë, vëllezërve Durim e Valter Bami, si edhe banesë e Marklen Hakës, i cili i ka shpëtuar disa atentateve.
“Me urdhër të SPAK është ndërmarrë një mega aksion në disa qytete të vendit. Janë ushtruar kontrolle dhe ka pasur fletë arreste për bosë të krimit në Nikël, Shkozet, në zonën e Shijakut, Tiranë, në Vlorë, Lezhë dhe zona të tjera. Janë 50 urdhër arreste të firmosur nga prokurorët Altin Dumani dhe Alfred Shehu. Këta persona dyshohen për një seri atentatesh të rënda. Është ushtruar kontroll dhe ka pasur urdhër arreste, jo të gjitha janë ekzekutuar, për pjesëtarë të fisit Avdylaj, disa prej të cilëve nuk janë gjetur. Urdhër arrestet lidhen me ngjarje të rënda kryesisht me vrasje.
Është bërë kontroll në Nikël në banesën e vëllezërve Durim dhe Valter Bami, të cilët janë personazhe të njohur të botës së krimit të skeduar më herët për ngjarje të rënda kriminale. Durim Bami nuk rezulton të jetë i arrestuar deri në këto momente nga policia.
Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në banesën e Albert Zajës në Larushkë, i akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit në Fier.
Policia ka ushtruar kontrolle Marklen Hakës në Nikël, i cili i ka mbijetuar disa atentateve në njërin prej të cilëve u vra halla e tij, Shpresa Basha.
Po zhvillohen kontrolle në zonën e Lezhës, po zhvillohen kërkime për Ervis Doçin i njohur me nofkën “Visi i Pojës”, i cili deri më tani nuk është shoqëruar. Është ushtruar kontroll në banesën e kundërshtarëve të përbetuar të Ervis Martianjt, vëllezërve Erlis dhe Leonard Duka, ky i fundit është arrestuar në Belgjikë. Ndërsa Erlis Duka është në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e Santiago Malkos, mikut të Ervis Martinaj”, raportoi gazetarja Klodiana Lala.