Kryebashkiakja socialiste e Durrësit, Emirjana Sako është paraqitur këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Ajo është futur në godinën e SPAK e vetme rreth orës 14:00.
Burime bëjnë me dije se kryebashkiakja Emirjana Sako do të merret në pyetje nga oficerët e BKH-së në lidhje me kontratën e firmosur me inceneratorin e Tiranës.
Bashkia e Durrësit ka lidhur një kontratë për depzotimin e mbetjeve tek inceneratori i Tiranës që u kushton qytetarëve 10 milionë euro për koncesionarin dhe 15 milionë euro të tjera për transportin.
Emirjana Sako është thirrur si dëshmimtare edhe në komisionin hetimor parlamentar për inceneratorët të ngritur me kërkesë të opozitës. E vënë përballë pyetjeve të deputetëve të Partisë Demokratike, Sako në atë kohë braktisi mbledhjen me preteksin se po i shtrembëronin fjalët. Pavarësisht thirrjeve të demokratëve se ajo do të procedohej penalisht për rrefuzim dëshmie, ajo u largua nga salla.
Sako e mori detyrën pas dorëheqjes së kryetares së zgjedhur Valbona Sako dhe u u ngarkua nga Edi Rama, si nënkryetare për të drejtuar këtë institucion në fillim të vitit 2020. Por që në korrik të vitit 2018, me urdhër këshilli Bashkiak i Durrësit kishte shpallur emergjencën mjedisore, (sipas modelit të Elbasanit) me justifikimin se nuk kishte ku depozitonte plehërat. Për disa kohe kjo dosje u la në heshtje. Derisa në janar 2020 Edi Rama kalon në Këshillin Kombëtar të Territorit, shndërrimin e vendit të hedhjes së mbeturinave të qytetit në Porto Romano, në një Eko Park.
Në atë kohë, sipas kronikave televizive, Durrësi ishte përmbytur nga plehrat dhe Emirjana Sako filloi depozitimin e mbetjeve tek inceneratori i Tiranës pa asnjë marëdhënie kontraktuale, pra pa bazë ligjore. Më vonë, në qershor Këshilli Bashkiak i qytetit i jep miratimin Sakos për të negociuar me inceneratorin e Tiranës për të shpënë mbetjet e qytetit të saj aty.
Ditën e sotme për inceneratorin e Tiranës u mor në pyetje edhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, teksa më herët është marrë në pyetje edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe zv.kryeministrja, Belinda Balluku.