DITA denoncoi publikisht, që para pandemisë së vitit 2020, aktivitetin kriminal në fushën e mikrokredive të Arben Meskutit dhe Olsi Ibros, bashkë me zinxhirin e kompanive të tyre, Final, MCA, ADCA, Consulting Company, Zig, Flash, Star/Fs etj.

Treguam se si këta dy persona, nëpërmjet një klani brenda familjeve të tyre, krijuan një megaskemë mashtrimi, që solli pasojat që po i numërojmë sot, duke hapur dhe numëruar një inventar dhimbjeje.

Sollëm vite më parë fakte, dëshmi dhe prova të gjalla, se si një skemë mashtrimi funksiononte pa asnjë pengesë mu në mes të Tiranës, në bulevard, pranë ish “Zërit të Popullit”. Në atë kohë ata krekoseshin në ndërtesën që quhej “Qendra e Biznesit Star”, pak metra përkarshi Ministrisë së Drejtësisë.

Shteti në atë kohë u dorëzua, për të reaguar në mbrojtje të pjesës më vulnerabël të shoqërisë, komuniteteve më të varfra, rinisë, familjeve të reja, atyrë që jetojnë me pak gjë në periferi apo fshat.

Sollëm fakte se si nga 2016 e këtej, MCA kishte “gëlltitur” me miliona euro troje, kullota, magazina, shtëpi banimi, para dhe pasuri të painventarizuara nga askush, sidomos nga Banka e Shqipërisë.

Klani familjar Olsi Ibro, Elda Ibro, Arben Meskuti, Yllka Meskuti, Ernela Çuberi, Indrit Çuberi, vendosi nën komandë një zinxhir kusarësh ‘përmbarues’ me licensa të cilëve u bleu në fillim vulat, e më pas edhe vetë nderin, me para.

Pas 2020 mashtruesit e “Qendrës Star” u zhvendosën pranë pallateve “Usluga”, disa metra larg godinës së SPAK, aty ku për katër vjet me radhë u lejuan të ushtrojnë torturat moderne të “pagimit të fajdes” për qindra mijë hallexhinj shqiptarë, që kishin marrë dikur një kredi.

Dëshmitë rrënqethëse që lotonin në redaksi sot po i dëgjojnë hetuesit. Të gjithë po flasin të vërtetat që i heshtën për vite me radhë…

Historia e Mirelës si një ndër qindra të tjerat që u lanë pa dëgjuar

Mirela H, nënë e dy fëmijëve, sot ka mbetur fillikat pa asnjë të ardhur. Ajo tregon: “Bashkëshorti iku në Greqi të punojë. E vetme mbaj dy fëmijët e vegjël. Punoj në një karburant në Tiranë. Rrogën e kam të vogël, as 40 000 lekë. Më është bllokuar ka 8 muaj s’marr asnjë lek. Te banka më kishte çuar një letër përmbarimi Helidon Xhindi. Nuk e njoh.

Një ditë më thirri shefja e financës te puna dhe më tha që të kanë ardhur disa shkresa që të të mbahet rroga nga ky emri, Helidon Xhindi. Nuk e njoh – i thashë, nuk e di se s’kam asnjë takim ose njoftim me të. Po më duket e padrejtë gjithë këto letra dhe pse tek puna ime.

Më kujtohet në shtëpi për çështjen e një kredie më kanë ardhur me dhjetra letra. Të gjitha i kam ruajtur. Nuk e di a kam faj kaq të madh sa të më përndjekin kështu? Më ka ardhur edhe një bllokim tjetër në shtëpi nga një emër përmbaruesi, Fatos Alimadhi. Vitin e kaluar një letër me emër tjetër që s’më kujtohet më sillte shkresa bllokimi po në shtëpi.

Pastaj më merrnin me telefona të ndryshëm, po sidomos ne numrin 0682097137. Më përndoqën pa pushim me letra, me shkresa, me telefonata. Nuk rrija dot një minut e qetë, vetëm me ankth. Njëherë më thonin jemi MCA, njëherë jemi ADCA here tjetër nga përmbarimi. Vitet e kaluara pata një përmbaruse që më torturonte njëlloj, ajo me emrin Jordisa Dervishi te Qëndra Star afër Ministrisë së Drejtësisë. Ishte edhe një tjetër që nuk më kujtohet emri. Të gjithë këta i kanë emrat në letra. E gjithë kjo bela për shkak të një kredie të vjetër që unë dhe im shoq e morëm te Prokredit banka në Tiranë, sepse hapëm një piceri.

Ishte viti 2008, morëm 5 milion të vjetra kredi me 22% në vit që duhet ta shlyenim të gjithë kredinë deri në shkurt 2011. Paguanim 19.200 lek në muaj. Ishim korrektë për 11 këstet e para, por më pas patëm probleme. Burri pati aksident…Paguam më tepër se dy milion, pastaj pushuam, s’mundëm më. Në 2013 paguam edhe një 300 mijshe pastaj s’patëm më fuqi. Na e mbyllën picerinë.

Në nëntor 2015 më vjen një shkresë përmbarimi e Jordisa Dervishit nga Star. Ajo më kërkoi të paguaja 698.700 lekë menjëherë. U habita shumë a thua se s’kisha paguar asnjë këst. Ajo filloi të më persekutojë familjen, mua dhe bashkëshortit. Telefonata, shkresa dhe kërcënime pa fund. Nuk mund t`i them të gjitha problemet që m`u vunë në kurriz por ishin shumë. Nuk kuptonim çfarë kërkonin nga ne dhe pse kërkonin gjithmonë e më shumë lek. Ishim si të terrorizuar nga telefonat dhe letrat pa fund me vula t’kuqe.

Shkoja te ajo qendra STAR me fëmijë në krah. Atje na fusnin në një dhomë në katin e dytë dhe një djalë na kërcënonte. Do ju marim rraqet e shpisë, rrogat komplet, pastaj do ju lëmë pa shpi dhe pa buk. Paguani! Të dy burrë e grua ishim me rroga të bllokuara komplet. S`merrnin asnjë lek, jetonim me borxhe me dy fëmijë të vegjël. Im shoq saldator dhe unë këtu ku jam ende në karburant. Na tha një prej tyre: “ec do firmosni çfarë t`ju themi ne që të shpëtoni dhe të paktën të hani buk e t`ju lirojmë të merni rrogat.”

U detyruam të firmosnim se kishim fëmijët pa bukë në shtëpi. Fëmijët ishin të vegjël. Dy vjeç djali dhe tre vjeç vajza. Ishte tetor 2016 me sa më kujtohet dhe me bashkëshortin firmosëm një letër te zyra Star. Ishte kontratë kredie për 597.300 lek me bankën Micro Credit Albania. Firmosëm, na çuan te një bankë aty afër, në sportel se ç`bënë një shkëmbim çeku lekësh s’pashë gjë, lek s’mora por firmosëm prapë dhe ikëm në shtëpi.

Na zhbllokuan rrogat më në fund përmbaruesit e STAR. Filluam të paguajmë kredinë e re te MCA. Paguam deri në gusht 2017 rreth 1.3 milion lekë dhe s`patëm fuqi të paguajmë më se burri sgjente dot punë, as sezoni, punoja vetëm unë. Filluan prapë kërcënimet, faturat, letrat me ngjyra vula të kuqe, nga MCA, ADCA. M`i sillte posta. Shoqet më thonin “përse i merr?!”. Unë i merrja të gjitha dhe i kam ruajtur si sytë e ballit.

Dua të di të vërtetën mos jam mashtruar. Më ndihmoni nëse kam të drejtë. Gjithë kohës në presion kam qënë. Jo vetëm unë, por dhe im shoq, jo vetëm ne por dhe të afërmit tanë, farefis e njohje çkishim. U habitëm shumë njëherë se ata i mernin në telefon të gjithë. S’dinim si i gjetën numrat e tyre. Merrnin në telefon kushërinj të parë e të dytë dhe u thonin “ndihmoini të paguajnë kredinë se do i gjejë belaja, mund t`u shitet shtëpia”.

Ata morën edhe babain tim L disa herë. I çuan edhe zarfa në shtëpi. Morën vëllain tim G dhe ja çuan letrat e kredisë sime në punë, atje ku punonte te G.A…e panë të gjithë shokët e punës. Morën në telefon nusen e vëllait tjetër A. Nusja quhet S.A. E morën nusen dhe i thonin “ndihmoini të paguajnë kredine Mirela me burrin se do i gjejë belaja mund t`u shitet shtëpia.”

Si ka mundësi që më persekutuan kaq shumë me telefon dhe adresa në njerëzit e mi? Ku i dinin ata të gjitha këto? Persekutimi im në shtëpi e në telefon më vazhdoi disa kohë. Une s`kisha çfarë jepja më e vetme me dy fëmijë me një rrogë të vogël as 400 mijë lekë, me burrin që iku nga halli të punonte në Greqi e që s`më kishte kontaktuar shum kohë. Ma mbajtën te banka komplet rrogën për hesap të përmbarusve, siç më thonin, njëherë një emër, një herë një emër tjetër.

Letrat e tyre nuk m`i tregonin te banka. S’na lejohet nga qëndra – më thonin. Sa herë shkoja te banka më thonin “S`do marrësh më asnjë lek por shko dhe merru vesh me MCA atje te treni…” Ajo e bankës ma shënoi në një letër adresën dhe numrin ku duhej të shkoja. E kam akoma shënimin në letër të verdhë, Rruga Mine Peza, hyrja 2, kati 1, Tiranë, MCA. Numër telefoni 0682097137. I njëjti numër që më thoshte ADCA ca vite përpara.

E mora numrin më doli një gocë në telefon. U prezantova dhe i thashë, dua të vij të takoj për hallin e bllokimit të rrogës. Kështu më thanë te banka që përmbaruesin e gjej tek ky numër. Ajo më tregoi si duhej të gjeja rrugën, ishte një Postë Shqiptare aty në unazë afër Arkivës së Shtetit, te pallatet Usluga, buzë rrugës, zbrisje ca shkallë. E mora në telefon prapë atë vajzën se nuk shihja ku të shkoja se skishte asnjë tabelë a shenjë banke. Ajo më tha që janë ca kondicionerë aty, ca shkallë dhe shty derën futu se s`kemi tabele ne, ç`të duhet tabela ty….

U futa brenda ishte një banak i kuq si këto të postës. Te një sportel aty vajza që foli në telefon me mua më pa si me inat dhe më mori kartën e identifikimit. I bëri fotopje kartës. Unë i kërkova që të takoja përmbaruesin Helidon Xhindi, apo atë me mbiemrin Alimadhi që më kishin bllokuar rrogën të dy rrogën. Ajo më tha: “Ça kishe me ta se i them unë shefit. Nuk i takoni dot kur të doni ju përmbarusit se kanë punë ata, s`do rrinë pas jush”. E pyeta, si nuk më takoka mua të paktën një here të më sqarojë si e qysh kur më ka bllokuar komplet rrogën pa më njoftuar fare Dua ti njoh. Të lutem, dua të flas me ta se kam dy fëmijë, jam pa bukë në shtëpi.

Ajo më tha: “Të sqaroj unë, mbylle gojën. Ke 12 milion borxh me pagu. se s’ke respektuar datat e borxhit dhe të ka vajtur kaq. Ishte kollaj kur i more. Une i thashë që s’kam marrë asnjë lek vetëm kam paguar deri tani rreth 5 milion, kam letrat për këtë, nuk llogariten përse kaq shumë? Jo, më tha, nuk quhen ato që ke paguar se i merr përqindja në vite, i merr banka, përmbaruesi se s`do të presin ty. I thashë si ka mundësi 12 milion?! Ku t`i gjej, ku të mbytem tani? Unë me 400 mijë, as ato nuk i marr se mi keni bllokuar, si t`i laj, pa burrë me dy fëmijë…

Ajo vajzë që s`do ta harroj kurrë më tha pa mëshirë “Ik paguaj borxhin dhe boll dërdëllite…të gjithë njëlloj jeni ju!” Ika e përlotur në shtëpi për të ushqyer fëmijët me para borxh. S`kam rrogë fare, ma mbajnë të gjithën ata…dhe në punë më thonë “zgjidhe këtë problem se edhe ne s`kemi ç`bëjmë”.”

Kjo është historia e shumë Mirelave kudo në Shqipëri të kapura prej fyti nga qeraxhijtë e shpirtit.

Ministri Manja kallëzon në Prokurori 10 përmbarues privat, një avokat, një eksperte të pasurive të paluajtëshme, të gjithë të shitur tek MCA dhe Final.

Emrat:

Rigels Bejko
Alda Kodra
Florian Shehu
Altin Vako
Saimir Dogjani
Astrit Kaptelli
Rrok Deda
Helidon Xhindi
Fatos Alimadhi
Lefter Canaj
Alban Kote
Yliana Sejfo

Si shitet një përmbarues, avokat, ekspert tek MCA

Kanë shitur vulat, tregon një punonjës “i penduar” i MCA. “Vulat e tyre kanë patur si fillim një çmim mujor ose javor. Ne bënin vetëm letrat në emër të tyre. Sikur ishim ata. Ata vinin një herë në javë apo muaj, merrnin paratë te pronarët Olsi ose Arbenit e një zyrë në katin e dytë. Zakonisht paguheshin për të lënë vulën për sekuestrime në banka dhe hipoteka, 500 deri 700 Euro në javë. Po kaq edhe për heqjen e sekuestrimeve, pasi ne të siguroheshim që njerëzit të nënshkruanin kontrata kredie me MCA, ose të paguanin aq sa u kërkohej nga ne.

Kur u doli boja tre përmbaruesve të pare i hoqi ministri licensat, doli një tjetër. Përmbarues Rigels Bejko. Ky filloi të merrte më shumë nga të gjithë, mbaj mend filloi në dhjetor 2022 të merrte 30 000 Euro në muaj sepse me vulën e tij filluan të bëheshin ankande. Më pas ai shtoi dozën e qerasë në 50 mijë sepse filloi që përveç ankandeve të kalonte pronat në emër të MCA.

Nuk pyeste fare të gjithë habiteshim si e linte vulën të bëheshin kaq shumë ankande dhe kalim pronash. Mbaj mend që punonin 50-60 veta vetëm për letrat e ankandeve me vulën e tij. Mund të ketë bërë edhe më shumë 300 kalime pronash me sa letra kemi bërë ne dhe i kam pare vetë. Bëhej dosja e përmbarimit aty nga fillimi e kishim ne. Ata kishin vetëm vulat. Ka një raft në katin e pare me 70 mijë dosje. Shumica dalin nga kompjuteri. Të gjitha i bënim ne, edhe letrat e ekspertes Yljana…edhe ajo kishte dorëzuar “vulën”, i bënte gjoja ekspertimet me google earth.

Në fakt i bënim ne aktet e saj. Ajo merrte 200 mijë për çdo vlerësim prone. Ky përmbaruesi Bejko nuk vinte vetë, e sillte vulën me një punonjës të zyrës së tij, Florian quhej, here here vinte edhe një djalë tjetër i ri, e merrnin mbrapsht vulën për kalimet e pronave. Firmat ishin elektronike. Pasi bënim letrat e përmbarues Bejkos, me vulën e tij, ne dërgonin aplikimet online në hipotekë me emrin e Andis Gjokës, administratorit të MCA.

Në hipotekë kishte një person në drejtorinë qëndrore që kujdesej për kalimet. Thuhej se vetë drejtorja e madhe kishte lidhje me ortakun e Bejkos që nuk e njihnim por ishte shok i pronarëve. Kështu merrej prona…”

Të dhënat e verifikuara në Kadastër korrespondojnë katërcipërisht me tregimet nën zë të “të penduarve” të MCA. Një dramë e vërtetë me pronat e shqiptarëve. Të rrëmbyera pa asnjë skrupull me çmime që nuk bëjnë as logjikë imobiliare, as dhe një justifikim fëminor. Letrat në emrin e Republikës së MCA çoheshin në kadastër po nga MCA, me vulën e vulëshiturit që “shiste” pronat e dibranëve për 200 mijë, 300 mijë, 800 mijë lek si toka pa shpirt e pa zot.

Pyetëm në kadastër “Cfarë është kjo histori e MCA?”. Punonjës të terrorizuar nuk guxonin të flisnin, por vetëm bënin me dorë për lart. “Kulla, kulla”. Çfarë është kulla e Kadastrës? Kjo do një investigim më vete, për të nxjerrë në dritë publike pronarët e “kullës” kadastrale…

Si u lane kaq gjatë këta vulëshitur të bëjnë kaq krime shpirtërore te shqiptarët? Po t`i bësh radiografi emrave që shitën vulat tek megaskema e mashtrimit “MCA” aty do gjesh një turli të veshur me licensa shtetërore: Rigels Bejko, Fatos Alimadhi, Lefter Canaj, Helidon Xhindi, Rrok Deda, Saimir Dogjani…lista nuk mbaron me ta, ka më shumë, është më turpëruese.

Fytyrat e tyre janë sot fytyra e një shteti që i la për vite të bëjnë një hata me krime financiare e shpirtërore. Fytyrat e tyre janë prova e fajit për të gjithë ne, që nuk u ngritëm aq sa duhet në mbrojtje të të mashtruarve/ Gazeta Dita