Gjykata e Tiranës thotë se Edmond Gashi është larguar me vrap i pashoqëruar nga asnjë punonjës i Policisë së Shtetit.
Gashi u filmua duke u larguar me vrap nga godina, dhe sipas gjykatës ai ka kaluar nga një derë që është autorizuar vetëm për kalimin e gjyqtarëve, si dhe ka qenë i pashoqëruar nga efektivë të policisë, çka mesa duket përbën shkelje.
“Kështu, në datën 27.06.2024, për paraqitjen dhe pjesëmarrjen e tij në seancën e caktuar për “Komunikimin e masës së sigurimit personal të caktuar në mungesë nga Gjykata”, në zbatim të nenit 248 të K.Pr.Penale, personi nën hetim Edmond Gashi, do të duhej të ishte i shoqëruar nga punonjës të policisë së shtetit, të cilët në zbatim të vendimit të gjykatës si dhe në referim të nenit 237 të K.Pr.Penal, duhet të ndjekin dhe të zbatojnë me përpikmëri vendimet e gjykatës, si dhe zbatueshmërinë e masave të sigurimit.
Me përfundimin e seancës gjyqësore, pasi gjyqtarja ka lënë sallën e gjyqit, po kështu me rradhë pas saj edhe prokurori, avokatët, si dhe vetë personat nën hetim, shtetasi E. G., teksa ka qënë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qënë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme), ka dalë i shoqëruar edhe nga një shtetas tjetër, duke u larguar me vrap, i pa shoqëruar nga asnjë punonjës i policisë së shtetit”, bën me dije Gjykata e Tiranës.
Ndërkohë dhe gazetarët kanë konstatuar se Edmond Gashi ka mbërritur në gjykatë i pashoqëruar me policë.