Aktori i njohur Mehdi Malkaj ndodhet i shtruar në reanimacionin e Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Teresa”, pasi ka shfaqur probleme me zemrën.
Malkaj ka qenë në spitalin e Traumës pasditen e djeshme duke vizituar një të afërm të tij dhe papritur ka ndjerë shqetësime dhe dhimbje në zemër.
Kështu ndihmën e parë e ka marrë nga mjekët e Traumës që më pas e kanë transferuar në pavionin e kardiologjisë.
Deri më tani, gjendja e tij paraqitet e qetë, por pritet që t’i nënshtrohet ekzaminimeve të tjera mjekësore gjatë ditës së sotme.
Mehdi Malkaj ka lindur më 20 mars të vitit 1952 në qytetin e Memaliajt. Roli i tij i parë në film (pasi në teatër kishte nisur më para) do të jetë ai i Milo budallait në filmin “Përrallë nga e kaluara” në vitin 1987. Më tej, do të vazhdonin edhe role të tjera në shumë filma si roli i pijanecit në filmin “Jeta në duart e tjetrit” në vitin 1990, roli i babait të Lolos në filmin “Shpella e piratëve në vitin 1991. Por roli që do ta bëjë të njohur për publikun do të jetë roli i xha Brahos në komedinë televizive “Gjuetia e fundit” në vitin 1992.
Roli i tij më i fundit është roli i Emil Bregut në filmin “Ne dhe Lenini” në vitin 2009. Aktualisht, Mehdi Malkaj është pjesë e trupës si aktor në Teatrin Kombëtar.