Pas skandalit me kreditë e vogla, që u konstatuan si skema mashtrimi dhe nga ana e Prokurorisë, Banka e Shqipërisë, premton se do të ndërmarrë ndryshime ligjore me qëllim përmirësimin e këtij tregu. Në një prononcim të guvernatorit Gent Sejko, thuhet se Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, po punojnë për një rregullore të re për institucionet mirkofinanciare. Sipas Sejkos, do të ketë një kontroll më të rreptë për moshën e huamarrësve si dhe mbi mundësinë financiare që ata kanë për shlyerjen e kësteve.
Gjatë fjalës së tij, pa gazetarë, Sejko nuk dha shpjegime se pse këto masa nuk ishin rishikuar më herët, ndërkohë që mijëra qytetarë ishin detyruar që të humbisnin pronat e tyre, për shkak të paaftësisë për shlyerjen e kësteve të kredive të vogla.
Sejko nuk dha detaje gjithashtu se cili do të jetë kufiri i moshës së lejuar për marrjen e kredive me interes të lartë, dhe as nëse punësimi do të jetë një kusht i detyrueshëm për aplikuesit pranë institucioneve financiare.