Më shumë se 500 vjet burg është kërkuar nga një prokuror në Stamboll për një organizatë kriminale që akuzohet se kishin vendosur të porsalindurit në kujdes intensiv për përfitime financiare, duke rezultuar në vdekjen e disa foshnjave. Hetimi për bandën nisi në maj. Një dokument zbuloi se foshnjat dërgoheshin në spitale “të zgjedhura” dhe jo në qendrat e duhura shëndetësore që do të ishin të përshtatshme për rikuperimin e tyre.

Sipas aktakuzës, qëllimi kryesor i grupit nuk ishte shërimi i foshnjave, por kishin për qëllim fitimet financiare pasi foshnjave u bënin trajnime të shtrenjta, si kujdesi intensiv, duke kërkuar kështu shuma më të mëdha nga Administrata e Sigurimeve Shoqërore. Foshnjat ndërronin jetë sepse i nënshtroheshin trajtimeve të panevojshme dhe të rrezikshme. Fitimet, më pas, ndaheshin mes anëtarëve të bandës, shumë prej të cilëve ishin punonjës të kujdesit shëndetësor.

Të paktën 12 vdekje u janë atribuar këtyre praktikave, por edhe pse shumë foshnja kanë mbijetuar, tani vuajnë nga sëmundje të rënda.

Vajza ime kaloi tre netë në njësinë e kujdesit intensiv. Doktori më tha: ‘Ky vend është për foshnjat një muajshe. Nëse fëmija juaj qëndron këtu, do të vdesë. Gjeni një spital tjetër”. Nuk gjetëm asnjë. Mjeku përgjegjës më pas rekomandoi një spital, duke shpjeguar se kostoja e natës për kujdesin intensiv ishte 7,000 lira turke (rreth 188 euro) dhe se vajza jonë do të kishte nevojë për dy javë trajtim. Ne pranuam,”- i tha gazetës Milliyet një nënë e pikëlluar, e porsalindura e së cilës vdiq në spital.

Në shumë raste, infermierët paraqiteshin si mjekë në familjet e foshnjave dhe kryenin trajtime mjekësore pa dijeninë e mjekëve të spitalit, me pasoja fatale për foshnjat. Bisedat telefonike të përgjuara nga autoritetet zbuluan se anëtarët e organizatës e dinin se disa foshnja ishin pranë vdekjes dhe merrnin masa që të mos mbanin përgjegjësi. Ndaj, prokurori i çështjes kërkoi dënime deri në 582 vite heqje lirie për liderin e organizatës, mjekun Fırat Sarı dhe dy figura të tjera kyçe të grupit kriminal. 18 të dyshuar të tjerë, përfshirë mjekë, infermierë dhe punonjës të kujdesit shëndetësor, përballen me 10 deri në 437 vjet burg me akuzën e “vrasjes nga pakujdesia nga mosveprim”.

Por pa nisur hetimet, grupi kishte kërcënuar me vdekje edhe prokurorin që po hetonte rastin, madje i kishin ofruar 100 mijë dollarë një vrasësi me pagesë, por atentati nuk ndodhi kurrë.