Anija “Moliva”  me 102 kontenierë me mbetje toksike ka mbërritur afër portit të Durrësit dhe po mbahet 1 km larg bregut. Mësohet se pritet që pasditen e sotme të ankorohet në port. Drejtori ekzekutiv i Rrjetit të Aksionit të Bazelit Jim Puckett bëri thirrje që hapja e kontejnerëve të bëhet nën mbikëqyrje të rreptë dhe në sy të publikut.

Deklarata

Rreth 2,100 tonë të dyshuara si mbetje të rrezikshme, të paketuara në 102 kontejnerë, u kthyen pas sot në Durrës, Shqipëri, pas një udhëtimi të gjatë  me anijen MOLIVIA me flamur turk, drejt Azisë Juglindore. Dërgesa masive e asaj që dyshohet se është pluhuri i filtrit të kontrollit të ndotjes së mbetjeve nga industria e çelikut, u nis për herë të parë nga Durrësi më 4 korrik 2024, me dy anije me qira të Maersk.

Menjëherë pas kësaj, Rrjeti i Veprimit të Bazelit (BAN), pas një informacioni nga një sinjalizues, njoftoi autoritetet e Shqipërisë, disa vende tranziti dhe vendin e destinacionit të synuar, Tajlandën, se anija ka të ngjarë të ishte përfshirë në trafikun kriminal të mbetjeve të rrezikshme. Si pasojë, qeveria tajlandeze deklaroi se ata  asnjëherë nuk ishin dakordësuar të pranonin mbetjet dhe i kërkuan qeverisë së Singaporit të ndalonte dërgesën.

Kontenierët të hapen publikisht dhe të merren mostra

Drejtori i BAN-it, Jim Puckett, ishte në portin e Durrësit kur anija mbërriti dhe u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të bëjnë një hapje publike të kontejnerëve dhe marrjen e mostrave nga ngarkesa për të siguruar një proces transparent të marrjes së mostrave dhe analizave.  Ai po kërkon një mostër të ngarkesës në mënyrë që OJQ-ja e tij e pavarur të mund të kryejë një analizë paralele për të përcaktuar e konfirmuar rrezikshmërinë e mbetjeve. Ai do të takohet me zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit këtë javë.

Anija turke MOLIVA, mbërrin në Durrës me 102 kontejnerë të ngarkuar me pluhur të dyshuar
si mbetje e rrezikshme. Burimi: Marinetraffic, e drejta e autorit Gianluca Balloni.

“Ne jemi 95% të sigurt se këto mbetje janë pikërisht ato për të cilat sinjalizuesi na vuri në dijeni”, tha Jim Puckett i BAN. “Dhe, ne jemi 100% të sigurt se këto mbetje nuk duhet të ishin eksportuar kurrë në Tajlandë. Tani që anija u kthye, është jetike që të bëjmë një analizë të plotë dhe transparente të përbërësve të këtyre mbetjeve, të mësojmë se kush i ka prodhuar dhe kush është përgjegjës për transportin pa paketimin dhe njoftimin e duhur, në shkelje të mundshme të ligjit ndërkombëtar”, tha ai.
Investigimi në Tajlandë

Muajin e kaluar BAN dhe EARTH, një nga organizatat kryesore mjedisore tajlandeze, e cila së bashku me BAN ngritën alarmin për dërgesën, vizituan Copper Metal Company Ltd. (CMC), që ishte listuar si importues në faturën e ngarkesës së mbetjeve me destinacion të synuar Provinca Lopburi, Tajlandë.

Gjatë vizitës, ata gjetën kontejnerë me mbetje të importuara që mbërrinin në objekt. Ata gjithashtu morën mostra dheu dhe pluhuri për analizë. Rezultatet e analizave zbuluan nivele të larta të metaleve toksike si arseniku, plumbi dhe nikeli, që tejkalonin disa herë nivelet historike në atë zonë dhe standardet e cilësisë së dheut për Tajlandën.

Për shembull, nivelet e arsenikut në dheun e mbledhur në një mostër jashtë objektit CMC ishin 215 herë më të larta se një studim i vitit 2019 për tokën në një zonë të afërt. Niveli ishte gjithashtu 77 herë më i lartë se vlerat e lejuara sipas Standardit të Cilësisë së Tokës së Tajlandës. Gjetjet treguan se objekti importues ndot tokat bujqësore përreth dhe nuk duhej konsideruar si një objekt i kualifikuar nga ana mjedisore për trajtimin e mbetjeve sipas parashikimeve Konventës së Bazelit.

“Qeveria jonë na tha se nuk kishte asnjë njoftim për mbetjet e rrezikshme të importuara që do të vinin në objekt siç kërkohet nga Konventa e Bazelit,”  tha Penchom Saetang, drejtor i EARTH. “Kështu, ata nuk patën mundësi të miratonin importin dhe fillimisht të siguroheshin se procesi dhe objekti kishin kualifikimet e duhura mjedisore. Qartësisht, ne gjetëm që nuk janë.”

Hapat e rradhës

Tani që mbetjet u kthyen pas, BAN dhe EARTH këmbëngulin se puna e vërtetë për të zbardhur skandalin sapo ka filluar. Ata bëjnë thirrje për:

1. Kryerja e një procesi transparent dhe të hapur të marrjes së mostrave dhe analizës së mbetjeve, sipas letrës së dytë që BAN i dërgoi qeverisë së Shqipërisë. Kjo përfshin dhënien e një mostre të ndarë prej mbetjeve për BAN dhe organizatat e tjera të pavarura.

2. Krahasimi i “gjurmës kimike” të mbetjeve me burimet e njohura për mbetjet në Shqipëri për të identifikuar qartë kush i ka gjeneruar mbetjet.

3.  Në Shqipëri, publikimi sa më i shpejt i rezultateve të hetimit ndërqeveritar. Hetimi duhet të përfshijë se sa dërgesa mbetjesh të ngjashme janë eksportuar nga vendi në 10 vitet e fundit.  Në Tajlandë, duhet të bëhet një rishikim i plotë i të gjitha importeve në CMC dhe kompani të ngjashme për të përcaktuar nëse importet e paligjshme kanë qenë zakonshme, me qëllim ndjekjen penale të tyre.
4. Ndërmarrja e hapave pro aktive për të siguruar që portet e Shqipërisë dhe industria të kuptojnë Konventën e Bazelit, që ata të trajnohen mirë për procedurën PIC dhe rolin e tyre dhe se jenë në gjendje të identifikojnë mbetjet e tregtuara zakonisht si plastika, pluhurat e çelikut dhe mbetjet elektronike. Organizata IMPEL e BE-së  dhe/ose BAN mund të ofrojnë një trajnim të tillë.

LEXO  Emërimi i Enkelejd Musabelliut: Një riciklim politik për reformën e dështuar të pensioneve?

5.  Sigurimi i menaxhimit të kualifikuar mjedisor të mbetjeve tani dhe në të ardhmen. Nëse nuk mund të gjendet një mënyrë e sigurtë dhe legjitime e riciklimit që menaxhon siç duhet mbetjet, atëherë mbetje të tilla duhet të depozitohen në një landfill të projektuar për mbetje të rrezikshme, ndoshta pasi të trajtohen për të parandaluar kullimin.