Detaje të reja janë zbuluar nga atentati me tre viktima dhe një të plagosur në Shkodër.

Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ku persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi në drejtim të mjetit tip “Benz” me të cilin po qarkullonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati.

Mësohet se e gjithë skena e krimit nga momenti i parë kur autorët kanë nisur të qëllojnë drejt automjetit ku ndodheshin viktimat Hamza Lici e Arlind Bushati deri te plumbat e fundit është rreth 150 metra.

Autorët mësohet se i janë futur paralel makinës ku udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati e më pas kanë nisur të qëllojnë me breshëri plumbash për rreth 150 metra në ecje.

E gjithë ngjarja sipas burimeve nga grupi hetimor dyshohet të ketë zgjatur vetëm 70 sekonda.

Qitësit dyshohet së kanë qenë dy persona, ndërsa një person i tretë ka pasur rolin e shoferit të mjetit “Land Rover” që u gjet i djegur tek ish-reparti ushtarak në fshatin Golem të njësisë Rrethina, rreth 5 minuta nga vendi ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Ndërkohë Hamza Lici raportohet se ka qenë shofer i mjetit ku u qëllua me breshëri automatiku ndërsa 32-vjeçari Arlind Bushati ishte pasagjer.

23-vjeçari Hamza Lici ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa Arlind Bushati vdiq në spital pas disa orësh në luftë për jetën.

I riu kishte marrë 2 plumba në kokë dhe nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Nga atentati fatkeqësisht mbeti e vrarë edhe Flutura Basha, e cila ishte kalimtare e rastit bashkë me bashkëshortin e saj me një motor.

Për pasojë gruaja humbi jetën ndërsa bashkëshorti ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë që mund të kenë fiksuar të gjithë skenën e ngjarjes.

Ndërsa janë shoqëruar në komiasriat 4 persona që mudn të kenë dijeni për ngjarjen.