Përveç identitetit të porositëve, autorëve dhe të gjithë të përfshirëve në masakrën e Dobraçit, misteri më i madh është identiteti i përsonit të tretë në vendin e ngjarjes. Deri më tani ka dyshime të forta se bëhet fjalë për Ibrahim Licin. Gazetari Sokol Dema ka mësuar se ka dyshime të forta se personi i tretë është Ibrahim Lici, i cili ka mbetur gjithashtu i plagosur në vendin e ngjarjes. Ka dyshime se ka marrë dy plumba, njërin qartësisht në këmbë, pasi në videon e kapur në momentin e ngjarjes, personi i tretë shihet duke çaluar.
Pas kontrolleve që u bënë në 2 klinikat private në Shkodër, Policia ka zbarkuar edhe në Vlorë dhe Fier, por nuk është gjetur asgjë! Duket se edhe kësaj here “fantazma” nuk ka lënë asnjë gjurmë. Ndërsa, ndërkohë që kërkimet vijojnë, Policia e Shkodrës nuk ka dalë ende në një deklaratë për të pohuar apo mohuar praninë e Licit në këtë ngjarjen. Nëse provohet se në vendin e ngjarjes ka qenë edhe Ibrahim Lici, kjo është një goditje e dyfishtë për Policinë e Shkodrës. Kjo pasi kanë një të mbijetuar nga atentati që mund të zbulojë më shumë detaje, por edhe sepse vetë Lici është në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës, në maj 2022.
Ndërkohë, disa kamera sigurie që monitorojnë kryqëzimet kryesorë në qytetin e Shkodrës, kanë fiksuar makinën tip “Range-Rover” që u përdor nga autorët për vrasjen e katërfishtë në Shkodër pasditen e 30 tetorit. Mjeti i vjedhur në Durrës është filmuar ditën e ngjarjes, pikërisht në zonën e rreth-rrotullimit që ndan dy zonat, atë të “Kirasit” dhe “Dobraçit”. Pra zonën ku kanë influencë familja Lici dhe familja Bajri. Gazetari i “Ora Neës”, Elton Qyno, ka mësuar se Policia dhe Prokuroria e Shkodrës kanë pamje filmike të Bashkisë së qytetit ku duket se në timonin e makinës së autorëve është një person me bluzë të bardhë. Por fytyra nuk është shquar për shkak se në dy anët e mjetit ishin ulur mbrojtëse e diellit që ndodhen në pjesën e sipërme të xhamit të parë të makinës.
Të njëjtat kamera, kanë zbuluar se në mjetin “Benz”, me të cilin lëviznin viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ka qenë dhe një person i tretë. Por edhe fytyra e këtij të fundit nuk është shquar dot nga hetuesit. Të gjitha detajet flasin për një person të tretë në makinë, që nga numri i celularëve, pistoletat dhe dokumentat që ishin në makinë. Po ashtu bën sens edhe me faktin se në makinë ka disa gëzhoja pistolete që do të thotë se mes grupeve ka pasur përplasje me armë zjarri. Duke marrë parasysh faktin se Hamza Lici ndërroi jetë në vend nga një plumb që mori në zemër dhe një dorë, ndërsa Arlind Bushati kishte një plumb në kokë, skenari më i besuesshëm është fakti që “i treti” është kundërpërgjigjur agresorëve.
Po sipas gazetarit, dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë treguar se ambulanca ka mbërritur gati 40 minuta me vonesë në vendngjarje, kohë kjo që ka sjellë dëme të parikuperueshme për Arlind Bushatin, i cili mund të kishte shpëtuar nëse do kishte marrë në kohën e duhur ndihmën e shpejtë.
Ndërkohë që ka dyshime për emrin e personit të tretë, po aq i paqartë është edhe porositësi i atentatit. Për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka një emër. Sipas tij, autorët janë anëtarët e fisit Bajri, duke e cilësuar masakrën si vrasje politike me urdhër të qeverisë dhe me ndihmë të Polcisë së Shkodrës. Por emra më konkretë se kaq nuk përmendi në asnjë moment.
“Kaluan 10 ditë nga masakra e Shkodrës, në të cilën 4 qytetarë të pafajshëm u ekzekutuan në rrugët kryesore të qytetit në mesditë dhe gjer sot nuk ekziston asnjë pistë për hetimin e kësaj ngjarje, për shkakun e vetëm se pista e vetme është pista shtetërore. Që ditën e parë, informova shqiptarët se kjo ishte një masakër me licencë qeveritare të Edi Ramës sepse banda Bajri është banda, e cila rrëmbeu mandatin e kryetarit të bashkisë dhe i është betuar Edi Ramës se do i garantojë mandatin në Shkodër me dhunë dhe terror. Banda Bajri në kundërshpërblim për shërbimet kriminale që i bën Edi Ramës, qeverisë së tij, është autorizuar të pastrojë sipas gjuhës së tyre, terrenin nga çdo lloj vështirësie që mund të ketë për të siguruar mandatin. Kur unë deklarova se pjesëmarrëse në këtë masakër është Policia e Shtetit, Mondi, i cili u duhej atyre sipas regjistrimeve për të kryer ca punë, Mondi qëndron në krye të vendosjes së narkopolicisë në shërbim të bandës. Por nuk është vetëm Mondi. Mondi tjetër në krye të ministrisë është një përfaqësues i njërës prej bandave më të rrezikshme të Shqipërisë dhe Ballkanit, i Troplinëve. Ai është emëruar aty nga banda e Troplinëve për të mbuluar të gjithë veprimtarinë e tyre dhe të ortakëve të tyre në Shqipëri. Kurse Mondi tjetër famëzi në krye të polici, i implikuar në trafiqe, por edhe në vrasje siç flitet rëndom, përfaqëson bandën e Elbasanit,”-tha Berisha në fjalën e tij.
Për Policinë, janë dy persona që besohet se kanë bërë ndjekjen e shënjestrave, të cilët kanë lënë gjurmë në pikën kufitare dhe janë identifikuar nga Policia. Mendohet se këta persona mund të jenë Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët janë shpallur në kërkim Policor nga “blutë” e Shkodrës.
“Deri në këtë fazë policia ka ngritur dyshime të forta se pjesëmarrës në këtë vrasje të paprecedentë në Shkodër, mund të kenë marrë pjesë S.Xh, D.M, E.H, si dhe 3 persona të tjerë që kanë pasur rolin e transportuesit dhe vëzhguesit. Nga ana e policisë Shkodër është kërkuar ndihmë e ndërsjellë dhe tek policia e Malit të Zi për të mësuar rreth lëvizjeve të Arlind Bushatit dhe Hamza Licit, në këtë shtet,”-shkruan gazetari Qyno.
Por sërish, përveç njoftimeve të bëra në ditën e ngjarjes, Policia e Shkodrës nuk ka dalë me detaje të reja për ngjarjen që solli 4 viktima, mes tyre 2 të pafajshëm. Teksa Hamza Lici kishte humbur jetën në timon, makina e tij përplasi një motoçikletë me të cilin udhëtonin çifti Flutura dhe Bashkim Basha. 66-vjeçarja humbi jetën në vend nga përplasja, ndërsa i shoqi ndërroi jetë të dielën në spitalin e Shkodrës.