Benet Beci u shfaq disa ditë më parë në dyert e SPAK, duke refuzuar të flasë për arsyen e thirrjes.
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës ironizoi po atë ditë lajmet e mediave që flisnin për dorëheqjen e tij, pa sqaruar faktikisht arsyen e paraqitjes së tij në SPAK.
Gazeta Jonë raportoi se zoti Beci është thirrur në SPAK për t’u pyetur rreth periudhës kur ai ka drejtuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). SPAK po heton thellësisht këtë periudhë, duke përfshirë edhe telefonin e sekuestruar të bashkëshortes së Evis Berberit (i cili ndodhet në burg për një çështje tjetër), gjatë kohës kur ajo punonte në KESH. Ende nuk dihet me saktësi në ç’fazë ndodhet hetimi për kryetarin e Bashkisë së Shkodrës.
Benet Beci u zgjodh kryetar bashkie vitin e kaluar, në një proces të kontestuar nga opozita me akuza për blerje votash dhe bashkëpunim me bandat. Çuditërisht, PD zyrtare dhe aktorë të tjerë kanë heshtur për akuzat e ngritura së fundmi nga SPAK ndaj Benet Becit. Duke marrë parasysh se në Shkodër pritet të kryesojë listën e kandidatëve Edi Rama, kjo heshtje është, në rastin më të mirë, e pakuptimtë dhe, në rastin më të keq, e dyshimtë për opozitën. Duhet theksuar se opozita e ka pasur “magaziner” të pasurive publike Benet Becin edhe gjatë kohës kur ishte në qeverisje.