Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, vijon “dashurinë” me firmën “Rajli Ndërtim”, të cilës i ka dhënë miliona euro për rindërtimin. Madje, favorizimet e Sakos në drejtim të kësaj firme janë denoncuar publikisht edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Por, pavarësisht gjithçkaje, Bashkia e Durrësit i ka dhënë një tjetër tender kësaj firme, madje me vlerë 99 % të fondit limit. Kjo firmë ka qenë e vetme në garë, duke lënë vetëm disa qindarka nga i gjithë fondi. Ka dyshime se kjo kompani është në “pronësi” të vetë Sakos, duke nisur nga lehtësia me të cilët i fton procedurat në këtë bashki dhe se si kryetarja firmos pa “iu dridhur qerpiku” milionat e eurove.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Bashkia e Durrësit ka nxjerrë një njoftim në Agjencinë e Prokurimit Publik për shpalljen e dy firmave, “Rajli Ndertim” dhe “Sireta 2F” të një procedure prokurimi. Tenderi është shpallur në fund të muajit tetor 2024, teksa objekti ka qenë “riaftësim strukturor i Pallatit nr.1047 (ARVI), Rruga Taulantia” me fond limit 74.079.767 lekë pa TVSH, me një kohëzgjatje të kontratës 224 ditë.
“Në tender ka marrë pjesë vetëm bashkimi i operatorëve ekonomikë ‘Rajli Ndërtim’ dhe ‘Sireta 2F’ me një vlerë 73.984.248” thuhet në këto dokumente, teksa ka lënë “rrugës” vetëm 95.519 lekë, as 1 mijë euro! Mësohet se këto firma kanë marrë një total të pikëve të marra 100 pikë. Pra, pikët maksimale në këtë procedurë, duke “rrëzuar” çdo firmë që të konkurrojë përballë tyre.
Ndërkohë VoxNews ka mësuar se procedurat e tenderëve të rindërtimit nga Bashkia e Durrësit kanë kaluar edhe në “sitën” e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka dalë me një konkluzion se kryetarja Emirajana Sako “prokuroi dhjetëra miliona euro në shkelje të ligjit tek një grusht kompanish gjysmë fiktive”.
Në datën 3 shkurt të vitit 2022, Bashkia e Durrësit zhvilloi një tender me vlerë 2.1 milionë euro për lulishtet e disa pallateve në Rrashbull. Fitues u shpallën “Rajli Ndërtim” dhe “G.P.G Company”, teksa KLSH shkruan se dhënia e kontratës ishte në shkelje të ligjit, për shkak se Rajli Ndërtim nuk plotësonte kriteret dhe kompanitë nuk kishin përcaktuar përqindjet në marrëveshjen e bashkëpunimit.
“KVO duhet të kishte bërë propozimin tek titullari i AK për anulimin e procedurës dhe fillimin e një procedure të re. Ky mosveprim ka sjellë lidhjen e një kontrate me vlerë 206,840,255.6 lekë pa tvsh me një Operator Ekonomik, i cili është shpallur fitues në papajtueshmëri me legjislacionin e PP dhe ngarkon me përgjegjësi anëtarët e KVO-së,” shkruan KLSH.
Mësohet se “Rajli Ndërtim” nga vitit 2019 deri në fund të 2023-shit morën dhjetëra miliona nga Bashkia e Durrësit, ndërkohë që të gjitha procedurat kanë qenë “të mbyllura”. Bashkia u justifikua me gjendjen e tërmetit, por këto kompani vijuan të marrin para’, teksa në total morën 20 milionë euro. /voxnews