Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar letërporositë dhe pritet të verifikojë gjurmët e gjetura në laboratorin e drogës në Qerekë. Deri më tani raportohet se është kryer ekspertizë në disa prej 850 copë lëkurash që u bllokuan në operacionin e 15 nëntorit të vendosura në një magazinë në Mullet të Tiranës.

Matërialet dhe gjurmët që u gjetën në thasët dhe materialet e tjera që u sekuestruan, do të ndihmojnë autoritetet të zbulojnë edhe anëtarët e tjerë të grupit që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.

Gjithashtu, pritet që në vendin tonë të mbërrijnë ekspertë të huaj me qëllim ndarjen e drogës e cila është shkrirë në lëkurët e gjedhëve.

SPAK ishte në dijeni të lëvizjeve të grupit kriminal, por i lanë ata të veprojnë të lirë. Grupi kriminal ka arritur të sjellë dy ngarkesat e fundit në shtator dhe në nëntor, ku në vendin tonë u transportuan 48 ton lëkurë gjedhi, të cilat përmbanin kokainë brenda. Më 15 nëntor SPAK në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe me Policinë e Shtetit ndërhynë dhe arrestuan 10 persona, 7 shqiptarë dhe 3 nga Amerika Latine.

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg 10 personat që u arrestuan gjatë operacionit të antidrogës të zhvilluar nga Prokuroris e Posaçme. Në mesin e të arrestuarve ishin dhe 3 persona nga Amerika Latine, të cilët dëshmuan para gjykatës së nuk kanë lidhje me trafikun e drogës.

Kolumbiani Hiwlen Ledezma Narvaez, dhe 2 venezuelianët, Joze Ramon Zacarias Vasquez dhe Samuel Alfonso Moreno Serrano u shprehën se erdhën në Shqipëri si turistë dhe për të mbjellë flokët. Geis Fejsullai, Klajdi Birçe, Artion Çaushllari, Endi Sejdini, Aldi Zonja, Ismail Abdurrahmani dhe Baki Huqi janë lënë në burg gjithashtu.