Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi të mërkurën shfuqizimin e akteve administrative lidhur me planifikimin e ndërtimit të katër hidrocentraleve mbi lumin “Shushica”, nëndegë e lumit Vjosa, shpallur Park Kombëtar në mars të vitit 2023. Vendimi erdhi pas padisë së 28 banorëve të fshatit Brataj të Vlorës dhe dy shoqatave mjedisore, “EcoAlbania” dhe “Impetus”, që kundërshtonin ndërtimin e hidrocentraleve.
Sipas padisë banorët kundërshtonin Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të kryer nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, dhe kontratën dhe lejen mjedisore për projektin e ndërtimit të HEC-ve, miratuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në përfitim të shoqërisë “Shushica Hydropower” .
Kompania Shushica Hydropower zotërohet nga 3 aksionerë, që janë Albstar e Idajet Ismailit, Trema Engineering e Ilir Trebickës dhe GR Albania e biznesmenëve Realdo Mancaku e Gentjan Filaj.
Projekti i hidrocentraleve parashikonte përdorimin e ujërave të lumit Shushica për 35 vjet për prodhim energjie. Në vendimin e saj gjykata i gjeti legjitime palët paditëse, komunitetin e banorëve dhe dy organizatat dhe vendosi anullimin e akteve që i hapnin rrugë ndërtimti të 4 hidrocentraleve, ndërkohë që nga përfaqësuesit e institucioneve nuk është deklaruar nëse do ta ankimojnë vendimin.
“Pas gati 3 vitesh, u shpërblye puna dhe dedikimi ynë si ekip i fushatës për mbrojtjen e Vjosës dhe avokatëve, në përpjekjen e vazhdueshme për të mbrojtur Vjosën dhe degët e saj nga projektet shkatërruese, tha Besjana Guri, përfaqësuese e “EcoAlbania”.
“Besojmë se autoritet do të reflektojnë pas këtij vendimi, i cili vjen në kohën kur Vjosa është shpallur Park Kombëtar, duke e mos apeluar atë” , shtoi ajo.
Organizata “EcoAlbania” tha përmes një deklarate se kjo është një fitore e rëndësishme për Shushicën dhe për Vjosën, por edhe per jurisprudencën Shqiptare. Sipas “EcoAlbania “, vendimi nga pikpamja e praktikës gjyqësore është një hap cilësor përpara sepse i hap rrugë mundësisë që një kontratë administrative të mund të kundërshtohet gjyqësisht nga publiku, pa qenë palë kontraktore”.
Ndërkohë një tjetër padi lidhur me shfrytëzimin e lumit “Shushica” në dëm të banorëve të zonës po shqyrtohet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Lushnjë. Komuniteti i banorëve dhe organizatat mjedisore kundërshtojnë projektin e ujësjellësit të Himarës, që parashikon devijimin e burimit kryesor të lumit Shushica për të furnizuar këtë bashki.
Komiteti i Konventës së Bernës, pak ditë më pare, në takimin vjetor në Strasburg, e përshëndeti qeverinë shqiptare “për pezullimin e punës në projektin e furnizimit me ujë në bashkinë e Himarës, duke ndjekur udhëzimet e ofruara nga eksperti i Organizatës Botërore për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), dhe për të përfshirë komunitetet lokale në diskutime dhe procese vendimmarrëse. /VOA