Policia e Shtetit ishte pjesë e një megaoperacioni ndërkombëtar të koduar “ICARO.AL”, me qëllim shkatërrimin e një grupi kriminal italo-shqiptar, të cilët trafikonin kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Në kuadër të këtij megaoperacioni në vendin tonë ranë në pranga 5 persona, të cilët rezultojnë të jenë pjesë e grupit të Suel Çelës.

Ndërsa, në Spanjë u bë i mundur arrestimi i Gerardo Pashja alias Astrit Pashja, 48 vjeç, me precedent penal.

Sipas mediave italiane mësohet se hetimet për çmontimi e këtij grupi kriminal nisën në gjysmën e dytë të vitit 2020, nga zbulimi i aktivitetit intensiv të shpërndarjes së drogës brenda disa ambienteve argëtuese në liqenin Garda dhe nga identifikimi i furnizuesit të kokainës që u shitej klientëve gjatë mbrëmjeve.

Nisur nga ky fakt, hetuesit ranë në gjurmët e grupit kriminal italo-shqiptar, i cili importonte sasi të mëdha droge nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Në vitin 2021, një nga të dyshuarit u kap me 350 kg kokainë.

Në krye të këtij grupi kriminal kanë qenë dy vëllezërit Çela, Suel dhe Mario Çela, banda e të cilëve cilësohet nga italianët si një më të rrezikshmet shqiptare.

Ata drejtonin operacionin e importimit dhe tregtimit të lëndës narkotike dhe grumbullimin e të ardhurave. Mësohet se kokaina  transportohej në vendin tonë përmes linjës së autobusëve. Dy vëllezërit Çela kishin krijuar lidhje me drejtuesit e autobusëve të cilët operonin linjën “Breshia-Elbasan”.

Madje thuhet se Suel dhe Mario Çela për të bërë marrëveshjet me furnizuesit e drogës kishin shkuar në Kolumbi, Ekuador dhe Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe.