Ndërkohë që SPAK vijon hetimet ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në skenë po dalin edhe emra biznesmenësh që janë vënë në sitën e prokurorëve për çështjen në fjalë.Mediat publikuan dje detaje të tjera nga dosja, ku rezulton se Mirton Lika është pronari i apartamentit në Sky Tower, që SPAK dyshon se e posedonte në mënyrë të tërthortë Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës.

Nga hetimi i SPAK për Veliajn te inceneratorët, pse konsulli Mirton Lika është kudo?
Nga hetimi i SPAK për Veliajn te inceneratorët, pse konsulli Mirton Lika është kudo?

Nga hetimet e SPAK, biznesmeni në fjalë del aksioner në disa kompani.

Por kjo nuk është hera e parë që emri i tij del në hetimet e zyrtarëve të lartë. Kujtojmë se Mirton Likapërmendet edhe në dosjen e SPAK për dy pronarët “de fakto” të inceneratorit të Tiranës, Klodian Zotodhe Mirel Mërtiri.

Zoto-Mërtiri, atë kohë, u vunë në përgjim telefonik dy ditë pasi ishte mbyllur pagesa për Elbasanin, ndërsa hetimet fillestare ndaj tyre nisën direkt me interceptimin e telefonave. Por dy kokat e inceneratorit ishin vënë në dijeni të çështjes penale të nisur në Prokurorinë e Elbasanit dhe, sipas SPAK, ata udhëzonin Mirton Likën, pronarin e Sky Hotelsnë Tiranë, të marrë masa për zhdukjen e gjurmëve dhe kapjen e ndonjë prove të mundshme nga prokuroria.

Në dosjen e prokurorisë SPAK thuhet se:

“Referuar transkriptimeve të përgjimeve telefonike, rezulton se Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, më 8 shtator 2017, kanë ardhur në dijeni për procedimin penal të regjistruar nga Prokuroria Elbasan, pasi kanë mësuar ndërkohë në lidhje me sekuestron e vendosur nga kjo prokurori. Dhe personi që është identifikuar si Agron Ceka, shofer personal i familjes Ahmetaj, i përgjigjet t’i bëjë të fala shefit. Po në këtë datë, Klodian Zoto komunikon me Mirton Likën duke i kërkuar që për nja një orë t’i fikin kamerat te kati i tyre dhe Mirtoni, në vijim, i komunikon se për 5 minuta hiqen fishat e katit të 13 deri nesër në mëngjes…”.

Përmendja e të njëjtit person në dosjen e dy personave kyç të inceneratorëve që tashmë janë shpallur në kërkim dhe tani në hetimet për kryebashkiakun, të bën të dyshosh se mund të jetë nyja lidhëse e përfshirjes së Veliajt në aferën e inceneratorit të Tiranës. Por, përderisa Prokuroria e Posaçme nuk është shprehur për një gjë të tillë, ndodhemi ende në kontekstin e dyshimeve.

SPAK aktualisht është duke hetuar për lidhje të mundshme dhe konflikt interesi mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me biznesmenin Lika dhe arsyet pse Ajola Xoxa ka shfrytëzuar apartamentin 11/4 në Sky Tower, aty ku ndodhen edhe zyrat e kompanisë së saj “Harabel”. Veliaj po hetohet për katër vepra penale, si pastrimi i parave dhe korrupsioni.