Nëna e Leo Sadikut, 12-vjeçarit që ndërroi jetë në QSUT në datën 8 janar, ka thyer heshtjen dhe ka folur për herë të parë në News24, duke ndarë me publikun të gjithë kalvarin që kaloi djali i saj në Spitalin e Korçës dhe QSUT.

Ajo akuzon mjekët që patën në dorë djalin e saj për neglizhencë, duke i atribuar kësaj pasojat që çuan në vdekjen e të birit.

Në një gjendje shumë të vështirë emocionale, Roveta Sadiku tregon se e dërguan djalin në Spitalin e Korçës për herë të parë më 28 dhjetor, ku pas marrjes së mjekimit, mjekët e dërguan atë në shtëpi.

Më 29 dhjetor, pasi gjendja e djalit nuk përmirësohej, ata shkuan përsëri në spital, ku pas disa vizitave, djali u shtrua. Sipas nënës, Leo kishte dhimbje të vazhdueshme barku, diarre, dhe të vjella.

Roveta tregon momentet e fundit të jetës së Leos, i cili sipas saj, ndërroi jetë në duart e dajës së tij.

Leo kishte një djegie të paparë në trup dhe donte të zbulohej. Po digjej, kam zjarr më thoshte. Ia thamë doktoreshës por nuk bëri asgjë. Djali e pashë që i kishte duart e ftohta dhe goca ka marrë në një lokal ujë të ngrohtë që t’ia vinim në këmbë dhe duar.

Në një moment Leo u ngrit i trembur. I thashë çfarë ke bir i mamit? Asgjë më tha mos ki frikë se asgjë nuk kam. Mos qaj se nuk ka asgjë më tha djali.

Më kërkoi të shtrihesha pas tij. I thashë është turp të keqen mami se ka njerëz. Mami të lutem shtrihu pas meje më lër të të puth, më puth, më shtrëngo fort po më thoshte djali. U shtriva pas djalit dhe po e përkëdhelja, nuk e dija që po i plotësoja dëshirat e fundit. Nuk zgjati shumë. Bëri një frymëmarrje jo të mirë. I thërrita Leo bir çfarë ke? Më tha nuk mbushem dot me frymë. Lajmërova direkt, nuk erdhi doktoresha por erdhi një infermiere me një matës oksigjeni në dorë. Ia vendosi në dorë dhe matësi nuk punonte në dorën e Leos.

Leo kaloi një krizë, i kërcyen sytë përpjetë. Në atë moment kemi thirrur si të marrë. Një zotëri ka ardhur nga një dhomë tjetër, na nxorrën me dhunë jashtë mua dhe tim vëlla. Kur më pa vëllai që po ulërija hyri me forcë. Një zotëri tjetër mori bombolën e oksigjenit, e vendosën aty dhe vetëm i thërrisnin Leo shtrëngo dajën, Leo mendo për mamin. I luteshim të bëhej i fortë, por Leon ma kishin shkatërruar, ma neglizhuan”, ka rrëfyer ajo. /gazetajone