
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka konfirmuar se i ka kërkuar zyrtarisht kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, informacion nëse ka pasur ndonjë përgjim apo hetim ndaj gjyqtarëve të këtij institucioni.
“Në lidhje me pyetjen tuaj, Gjykata nuk ka asnjë informacion mbi një përgjim të mundshëm apo të pretenduar ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pasi u informua për këto lajme, trupa vendosi t’i drejtohej zotit Dumani me kërkesë për informacion për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari, për sa kohë që veprimet e pretenduara lidhen me një vendimmarrje konkrete të Gjykatës, ku vetë SPAK është palë,” – deklaroi Zaçaj.
Ajo bëri të ditur se kërkesa zyrtare është dërguar të mërkurën, më 19 shkurt, por ende nuk ka një përgjigje nga Prokuroria e Posaçme.
Ndërkohë, Zaçaj tha se e ka informuar Dumanin se, deri më tani, asnjë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nuk ka raportuar ndonjë ndërhyrje apo ndikim të papërshtatshëm nga avokatë, funksionarë politikë, publikë ose subjekte të tjera, bazuar në nenin 10, pika 3, të ligjit organik./gazetajone